Dikur shihej si një nga talentet më premtues të akademisë së Arsenalit dhe vetë Arsene Wenger besonte se ai mund të bëhej një futbollist i madh. Por karriera e Jay Emmanuel-Thomas mori një kthesë dramatike: nga një adoleshent që trokiste fort në derën e ekipit të parë të Arsenalit, përfundoi në burg për përfshirjen në një skemë të trafikimit të kanabisit me vlerë rreth 600 mijë funte.

Jay Emmanuel-Thomas ishte vetëm 16 vjeç kur tashmë mbante shiritin e kapitenit te skuadra U18 e Arsenalit. Ai ishte pjesë e një gjenerate të jashtëzakonshme të akademisë së klubit londinez, ku luanin edhe emra si Jack Wilshere, Francis Coquelin, Henri Lansbury dhe Emmanuel Frimpong.


Në atë kohë, dukej sikur e ardhmja e tij ishte e shkruar në nivelet më të larta të futbollit anglez. 14 vjet më vonë, policia do të trokiste në derën e tij me një urdhër arresti.

Kjo është historia e jashtëzakonshme e një futbollisti që kishte pothuajse gjithçka për t'u bërë yll, por që përfundimisht e shkatërroi vetë karrierën e tij, shkruan Goal.

Nga akademia e Arsenalit te ëndrra për Ligën Premier

Emmanuel-Thomas lindi në Londër dhe iu bashkua Arsenalit në moshën vetëm tetëvjeçare. Që në moshë të vogël, ai u konsiderua si një nga gurët e çmuar të akademisë së klubit.

Fiziku i tij ishte i pazakontë për moshën, ndërsa kombinimi i forcës, gjatësisë dhe teknikës e bënte një futbollist jashtëzakonisht interesant.

Fillimisht trajnerët e provuan në shumë pozita. Ai luajti si mbrojtës qendre, por edhe në krahë, në mesfushë ofensive dhe në sulm.

Në fund, Arsene Wenger ndërhyri. Trajneri francez besonte se përdorimi i Emmanuel-Thomas në mbrojtje do t'i shpërdoronte disa nga cilësitë e tij më të mira dhe vendosi ta orientonte drejt roleve ofensive.

Në moshën 16-vjeçare, ai tashmë ishte kapiten i Arsenalit U18. Në sezonin 2008/09, ai udhëhoqi një skuadër të jashtëzakonshme të të rinjve drejt triumfit në FA Youth Cup, pasi Arsenali mposhti Liverpoolin në dy ndeshje.

Emmanuel-Thomas shënoi në atë finale dhe gjithçka dukej se po shkonte në drejtimin e duhur. Ai ishte vetëm 19 vjeç kur Wenger i dha mundësinë të niste titullar ndaj Stoke Cityt në FA Cup, në janar të vitit 2010. Në atë ndeshje ai luajti përkrah Theo Walcott, Cesc Fabregas, Sol Campbell dhe Mikael Silvestre.

Më vonë atë vit, ai u aktivizua edhe në ndeshjen ndaj Chelsea në "Stamford Bridge" dhe në fitoren 4-0 ndaj Newcastle United në League Cup.

Pas paraqitjes ndaj Newcastle, Wenger foli me entuziazëm të madh për të. “Jay po troket shumë fort në derën time – me të dyja duart”, deklaroi Wenger.

Trajneri legjendar i Arsenalit e konsideronte atë një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme. Wenger vlerësonte veçanërisht fizikun e tij, teknikën dhe aftësinë për të shënuar gola. Sipas tij, nëse Emmanuel-Thomas do të ishte në formën e duhur fizike, ai nuk do të ishte thjesht një futbollist i mirë, por mund të bëhej “një futbollist i madh”.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së Wengerit, ai nuk arriti të bëhej pjesë e rregullt e ekipit të parë.

Pas disa paraqitjeve të tjera, përfshirë një paraqitje të shkurtër në Champions League ndaj Shakhtar Donetskut, rruga e tij në veri të Londrës mori fund.

Vetë Emmanuel-Thomas e kuptonte situatën. “Arrin një pikë kur fillon të shikosh lojtarët që janë në ekipin e parë dhe ata që luajnë në pozitën tënde dhe e kupton se sa i mirë duhet të jesh”, kishte deklaruar ai më vonë.

Arsenali i ofroi edhe një zgjatje kontrate, por futbollisti vendosi se largimi ishte zgjedhja më e mirë për të.

Pas huazimeve te Blackpool dhe Cardiff City, Emmanuel-Thomas u largua përfundimisht nga Arsenali në vitin 2011.

Karriera që nuk arriti ta përmbushte potencialin

Ideja ishte që një klub tjetër t'i jepte hapësirën dhe stabilitetin që i nevojitej për të shpërthyer. Por në vend që karriera e tij të ngrihej, ajo filloi gradualisht të zbehej.

Te Ipswich Town në Championship, ai pati një sezon të mirë në fillim, por më pas humbi vendin në formacion.

Trajneri Mick McCarthy nuk e konsideroi më pjesë të planeve të tij. “Thjesht nuk mendoj se Jay e ka përmbushur gjithë potencialin e tij tek ne”, ishte vlerësimi i trajnerit.

Në Bristol City, megjithatë, Emmanuel-Thomas përjetoi periudhën më të mirë të karrierës. Në sezonin 2013/14 ai shënoi 15 gola në kampionat, duke treguar se potenciali që kishte parë Wenger vite më parë ende ekzistonte.

Ai luajti më shumë se 100 ndeshje për Bristol City dhe kjo mbeti periudha më e suksesshme e karrierës së tij.

Trajneri Steve Cotterill e vlerësonte veçanërisht mënyrën se si ai kombinonte teknikën me forcën fizike.

“Jay ishte i klasit të parë”, tha Cotterill pas një ndeshjeje ku Emmanuel-Thomas kontribuoi me një asistim dhe një gol.

Sipas trajnerit, nuk ishte vetëm aftësia e tij për të bërë veprime spektakolare që binte në sy. Edhe puna pa top ishte e rëndësishme.

“Sa më shumë vrapon në një ndeshje, aq më shumë do të shkëlqejë cilësia e tij”, ishte vlerësimi i Cotterill.

Por përsëri, Emmanuel-Thomas nuk arriti ta mbajë vazhdimësinë. Queens Park Rangers e riktheu në Championship, por edhe aty qëndrimi nuk zgjati shumë. Huazimet te MK Dons dhe Gillingham nuk sollën ringritjen e pritur.

Në vitin 2019, Emmanuel-Thomas vendosi të ndryshonte ambient dhe u transferua në Tajlandë, te PTT Rayong. Klubi sapo ishte ngjitur në elitë dhe futbollisti shpresonte se një aventurë e re do t'i jepte një tjetër shtysë.

Ai madje e përshkruante jetën atje me shumë entuziazëm. Apartamenti i tij ishte përballë plazhit. Mjaftonte të dilte nga banesa, të kalonte rrugën dhe ishte në plazh.

Por aventura përfundoi vetëm pas tre muajsh. Klubi falimentoi në mes të sezonit për shkak të problemeve financiare. Pas kësaj, Emmanuel-Thomas mbeti rreth 18 muaj pa klub. Livingston vendosi t'i jepte një mundësi pasi e pa në stërvitje. Edhe aty, ai tregoi se talenti teknik ende ishte aty.

Ai shënoi një gol në barazimin 2-2 ndaj Celtic dhe më pas realizoi një tjetër gol spektakolar ndaj Hamilton. Pas këtij goli, ai tregoi se ishte frymëzuar nga një prej golave të Thierry Henryt ndaj Manchester United. Trajneri i Livingston, David Martindale, ishte i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij.

Sipas tij, Emmanuel-Thomas ishte teknikisht një nga futbollistët më të mirë që kishte parë. “Ka këmbë kaq të mira, kontrolli dhe aftësia e tij janë të frikshme”, deklaroi Martindale.

Madje ai shkoi edhe më larg, duke thënë se për nga aftësia teknike, Emmanuel-Thomas mund të ishte futbollisti më i mirë në Livingston. Por përsëri, talenti nuk u shndërrua në vazhdimësi.

Aberdeen i ofroi një kontratë dyvjeçare, por aventura përfundoi pas vetëm 14 paraqitjeve në kampionat.

Trajneri Jim Goodwin e kritikoi për gjendjen fizike, duke thënë se nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur për llojin e futbollit që kërkonte ai.

Më pas erdhi një tjetër aventurë jashtë Anglisë, këtë herë në Indi. Edhe ajo zgjati vetëm disa muaj. Dhe në fund, Emmanuel-Thomas u kthye në nivelin e dytë të futbollit skocez. Në verën e vitit 2024, ai iu bashkua Greenock Morton.

Dikur një futbollist që dukej se mund të bëhej yll i Ligës Premier, tani luante në një klub të Championshipit skocez për rreth 600 funte në javë, përpara një audience prej rreth 1,800 tifozësh.

Në pesë ndeshje në Championship, ai nuk tregoi pothuajse asgjë nga cilësitë që dikur kishin bindur Wengerin për potencialin e tij.

Qëndrimi në Greenock zgjati vetëm dy muaj. Pastaj ndodhi ajo që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij.


Arrestimi dhe 60 kilogramët e kanabisit

Në shtator 2024, e dashura e Emmanuel-Thomas dhe një shoqe e saj u kthyen nga një udhëtim në Tajlandë. Udhëtimi ishte organizuar dhe financuar nga vetë futbollisti. Gratë pritej të merrnin edhe 2,500 funte për udhëtimin.

Por kur mbërritën në aeroportin Stansted të Londrës, autoritetet kontrolluan valixhet e tyre. Brenda tyre u gjetën qese të paketuara me vakum që përmbanin 60 kilogramë kanabis. Vlera e drogës u përllogarit në rreth 600 mijë funte.

Gratë pretenduan se mendonin se në valixhe kishte ar. Hetimet telefonike mbështetën versionin e tyre dhe prokuroria hoqi akuzat ndaj tyre. Por Emmanuel-Thomas u arrestua pak më vonë në Greenock.

Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, ai kishte vepruar si ndërmjetës mes furnizuesve të kanabisit në Tajlandë dhe shpërndarësve në Mbretërinë e Bashkuar. Ai dyshohej se kishte organizuar që gratë të merrnin drogën. Sipas akuzës, për rolin e tij ai pritej të përfitonte rreth 5,000 funte.

Situata u rëndua edhe më shumë nga një mesazh që ai i kishte dërguar të dashurës pasi ajo ishte ndaluar në aeroport. “Fshi gjithçka nga biseda jonë nëse mundesh”, i kishte shkruar ai, sipas materialeve të çështjes.

Greenock Morton e ndërpreu menjëherë kontratën e tij. Fillimisht Emmanuel-Thomas i mohoi akuzat. Por në maj 2025 ai u deklarua fajtor.

Avokati i tij, Alex Rose, argumentoi se futbollisti kishte kaluar periudha shumë të vështira financiarisht për shkak të kohëve të gjata pa klub. Sipas mbrojtjes, ai kishte “rënë në tundim” dhe kishte hyrë në botën e krimit.

Avokati theksoi se edhe pse Emmanuel-Thomas kishte kaluar më parë periudha pa kontratë, ato zakonisht kishin ardhur pas kontratave relativisht të mira dhe afatgjata. Situata ishte bërë shumë më e vështirë për të pas periudhës pa klub, kontratës së shkurtër me Kidderminster Harriers dhe më pas kalimit te Greenock Morton.

Por mbrojtja e pranoi se ajo që kishte bërë ishte një gabim katastrofik. “Karriera e tij në futboll ka përfunduar dhe kjo është diçka që ai ia ka sjellë tërësisht vetes”, tha avokati.

Sipas tij, ishte veçanërisht tragjike për një futbollist që dikur kishte pasur kaq shumë potencial.

Katër vite burg dhe fundi i një ëndrre

Në qershor 2025, gjykata e dënoi Jay Emmanuel-Thomas me katër vite burg. Gjyqtari Alexander Mills i dha atij një mesazh të ashpër.

“Përmes veprimeve tuaja, ju nuk do të njiheni më si futbollist profesionist; do të njiheni si kriminel”, i tha gjyqtari.

Ishte fundi i një karriere që dikur dukej se mund të kishte përfunduar në nivelet më të larta të futbollit anglez.

Në moshën 16-vjeçare, ai ishte kapiten i Arsenalit dhe një nga talentet më të vlerësuar të akademisë. Në moshën 19-vjeçare, Arsene Wenger besonte se ai mund të bëhej një futbollist i madh. Por tani karriera e tij profesionale kishte marrë një goditje që dukej përfundimtare. Megjithatë, historia nuk përfundoi aty.

Vetëm një muaj pas dënimit, Emmanuel-Thomas u lirua, duke marrë parasysh kohën që kishte kaluar në paraburgim.

Ai kishte kufizime, përfshirë orar ndalimi dhe një pajisje elektronike monitorimi. Megjithatë, vetëm rreth një javë më vonë, ai gjeti një klub të ri.

AFC Totton i dha një kontratë në National League South. Më pas kaloi te Braintree Town. Dhe, në mënyrë ironike, në debutimin e tij ai tregoi se talenti teknik ende ishte aty.

Emmanuel-Thomas shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit për të vulosur fitoren 2-0.

Trajneri Steve Pitt e vlerësoi shumë golin. “Edhe pse nuk e ka më shpejtësinë që kishte, ai ende ofron cilësi dhe do të jetë e vështirë të shohësh një goditje dënimi më të mirë në këtë nivel”, deklaroi trajneri.

Më vonë ai e cilësoi golin si “gjenial”. Pitt gjithashtu refuzoi ta gjykonte futbollistin vetëm për të kaluarën e tij.

“Nuk dua të flas për të kaluarën e tij, sepse nuk mund të ndikoj në të kaluarën. Ai është dënuar nga drejtësia, ka vuajtur dënimin që kishte dhe ende po e vuan atë në njëfarë mënyre. Unë mund të gjykoj vetëm njerëzit që punojnë me mua dhe mënyrën se si sillen me mua dhe stafin tim”, deklaroi ai.

Një përpjekje për të nisur nga e para

Më vonë, Emmanuel-Thomas u bashkua me skuadrën e drejtuar nga ish-lojtarët e Anglisë, Micah Richards dhe Daniel Sturridge, në Baller League.

Aty ai tregoi sërish instinktin për gol. Në sezonin e fundit të kësaj gare me gjashtë lojtarë, ai përfundoi si golashënuesi i dytë më i mirë. Në vitin 2026, ai vazhdoi të kërkonte një rrugë të re në futbollin e niveleve të ulëta angleze.

Por pavarësisht rikthimit në fushë, historia e tij mbetet një nga ato që të bëjnë të mendosh se sa e brishtë mund të jetë një karrierë profesionale.


Në moshën 16-vjeçare ishte kapiten i Arsenalit dhe fitonte FA Youth Cup së bashku me një brez që përfshinte disa nga emrat më të njohur të futbollit anglez. Në moshën 19-vjeçare Arsene Wenger besonte se ai mund të bëhej një futbollist i madh.

Nga një djalosh që Arsene Wenger e shihte si një të ardhme të mundshme të Arsenalit, ai përfundoi i dënuar për një vepër penale që i kushtoi jo vetëm lirinë, por edhe një pjesë të madhe të reputacionit dhe karrierës së tij.

Tani ai po përpiqet të ndërtojë përsëri jetën dhe të ardhmen e tij në futbollin e niveleve më të ulëta.

Por historia e Jay Emmanuel-Thomas mbetet mbi të gjitha një histori për një talent të madh që nuk arriti ta përmbushte potencialin dhe për një seri vendimesh që e larguan gjithnjë e më shumë nga ëndrra që dikur dukej aq afër. /Telegrafi/

telegrafi sport app