Nga lista e largimeve te heroi i Paraguait: Kupa e Botës po ia ndryshon jetën Matias Galarzas


Matías Galarza po përjeton një nga kthesat më të mëdha të karrierës. Vetëm pak ditë pasi u njoftua se nuk bënte pjesë në planet e River Plate, mesfushori 24-vjeçar është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Paraguait në Kupën e Botës 2026.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare në rrugëtimin e Paraguait drejt fazës tjetër të turneut, ndërsa emri i tij tashmë përmendet si një nga zbulimet e këtij Botërori.
Pas humbjes 4-1 ndaj SHBA-së në ndeshjen hapëse, Galarza mori një tjetër goditje jashtë fushës. River Plate publikoi listën e futbollistëve që nuk ishin në planet e trajnerit Eduardo Coudet, ku përfshihej edhe emri i tij, pasi ai ishte në huazim sezonin e fundit.
Klubi argjentinas njoftoi se mesfushori do t’i bashkohej grupit të lojtarëve jashtë planeve të ekipit sapo të përfundonte angazhimin me kombëtaren në Kupën e Botës.
Edhe e ardhmja e tij te Atlanta United dukej e pasigurt. Klubi amerikan kishte të drejtën ta blinte për 2.6 milionë euro për 50 për qind të kartonit, por vetëm nëse ai do të ishte titullar në 75 për qind të ndeshjeve gjatë huazimit, kusht që nuk u plotësua.

Reagoi ndaj thashethemeve
Në mediat paraguaiane qarkulluan raportime se Galarza ishte prekur emocionalisht nga vendimi i River Plate dhe kishte kërkuar të mos luante ndaj Turqisë.
Mesfushori i mohoi menjëherë këto zëra, duke theksuar se fokusi i tij ishte vetëm te kombëtarja.
Ai deklaroi se shqetësimi i vetëm ishte të jepte maksimumin për Paraguain, duke shtuar se ishte krenar që përfaqësonte vendin e tij dhe se çdo vendim për të ardhmen do të merrej vetëm pas përfundimit të Kupës së Botës.

Besimi i Alfaros ndryshoi gjithçka - loja ndaj Turqisë me gol dhe shkëlqimi me Gjermaninë
Selektori Gustavo Alfaro i doli publikisht në mbrojtje futbollistit, duke kërkuar që kritikat të drejtoheshin ndaj tij dhe jo ndaj lojtarëve.
Besimi i trajnerit rezultoi vendimtar. Galarza u aktivizua titullar ndaj Turqisë dhe e shpërbleu këtë besim duke shënuar golin e vetëm të fitores 1-0, pas një asistimi të Julio Encisos.
Ishte momenti që i ndryshoi tërësisht turneun. Forma e tij u konfirmua në sfidën historike ndaj Gjermanisë.
Në suksesin e Paraguait pas penalltive, Galarza dha asistin për golin e Julio Encisos në pjesën e parë dhe realizoi me qetësi penalltinë e tij në serinë vendimtare.
Përveç kontributit në sulm, ai ishte një nga lojtarët më të spikatur në fushë. Realizoi 10 rikuperime topi, fitoi nëntë duele, ndërpreu dy aksione të rrezikshme dhe përshkoi mbi 14 kilometra gjatë ndeshjes, duke qenë një nga futbollistët më aktivë të takimit.

Vlerësimet e mëdha nga përzgjedhësi Alfaro dhe afati kalimtar veror
Pas ndeshjes, Gustavo Alfaro nuk i kurseu elozhet për mesfushorin. Trajneri tha se Galarza e kishte dëshmuar ndaj Gjermanisë se ishte futbollist për skenat më të mëdha, duke theksuar se ai lufton në çdo cep të fushës dhe bën diferencën jo vetëm falë talentit, por edhe karakterit dhe zemrës që tregon në lojë.
Paraqitjet në Botëror duket se kanë ndryshuar edhe situatën e tij në afatin kalimtar.
Sipas raportimeve të ESPN, Atlanta United po shqyrton sërish mundësinë për ta blerë përfundimisht, ndërsa vlera e Galarzës është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve me Paraguain.

Nga një lojtar që konsiderohej jashtë planeve të River Plate, Matías Galarza është shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës dhe një nga liderët e brezit të ri të Paraguait. /Telegrafi/













































