Nëntori pa miqësore

“Sipas të gjitha gjasave nuk do të kemi ndeshje miqësore sepse nuk kemi kundërshtarë. Është kohë e shkurtër që të ketë diçka në këtë drejtim. Kemi menduar që mund të luajmë të pakën një ndeshje, por sipas asaj që po shihet nuk do të ketë asgjë”, ka thënë nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, për SportPlus.
Në anën tjetër, ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti ka theksuar se duhet të mendohet për muajin mars sepse nëntori do të kalon pa ndeshje miqësore.
“Muaji nëntor do të jetë pa miqësore në bazë të asaj që po shohim. Nuk kemi kundërshtar dhe është kohë shumë e shkurtër që të gjejmë një shtet që do të mund të luajmë. Kështu që deri në mars nuk besoj që do të kemi lojë. Takimi që do të kenë sot me Blatterin besoj që është më i rëndësishëm se sa ndeshjet miqësore dhe e gjithë vëmendja është përqendruar aty”, tha Sahiti.
Kosova, ndeshjen e fundit miqësore e luajti me klubin zviceran Wil, duke fituar me rezultat minimal 1:0, me golin e Kushtrim Lushtakut. /Telegrafi/



















































