Pas eliminimit shokues, Neuer zbulon çfarë ndodhi në dhomën e zhveshjes dhe tërhiqet nga kombëtarja


Një zhgënjim i madh mbretëroi në kampin e Gjermanisë pas eliminimit nga Kupa e Botës. "Pancerët" u mposhtën nga Paraguai pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 5:4, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 1:1.
Portieri Manuel Neuer dha një deklaratë për MagentaTV menjëherë pas ndeshjes dhe, dukshëm i tronditur, zbuloi se çfarë ndodhi në dhomën e zhveshjes pas disfatës.
I pyetur nëse dikush kishte folur pas ndeshjes apo nëse zhgënjimi ishte thjesht shumë i madh, Neuer u përgjigj:
"Po, trajneri na tha disa fjalë, por përndryshe sigurisht që ka shumë qetësi. Të gjithë janë të zhgënjyer dhe të trishtuar për eliminimin."

Portieri gjerman më pas tregoi se çfarë, sipas tij, i mungoi skuadrës së Julian Nagelsmann në ndeshjen vendimtare.
"Thjesht nuk e kishim atë fuqi goditëse për ta vendosur ndeshjen në favorin tonë dhe nuk patëm asnjë grimë fati", deklaroi Neuer.
Fjalët e Neuer pasqyruan më së miri paraqitjen e Gjermanisë, e cila dominoi për pjesë të mëdha të ndeshjes, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara dhe në fund u ndëshkua nga pika e bardhë.
Pas një tjetër eliminimi të hershëm nga një turne i madh, atmosfera në kampin gjerman ishte e zymtë, me biseda të shkurtra në dhomën e zhveshjes dhe me lojtarët që mezi gjenin fjalë për të përshkruar zhgënjimin e tyre.
Ky eliminim shënoi gjithashtu fundin e një epoke për futbollin gjerman, pasi Manuel Neuer konfirmoi se i jep fund karrierës së tij me kombëtaren.
Portieri legjendar largohet pas më shumë se një dekade si një nga figurat më të rëndësishme të Gjermanisë, duke mbyllur kapitullin e tij me fanellën e "Pancerëve" pas një prej netëve më të dhimbshme të karrierës së tij. /Telegrafi/













































