LAJMI I FUNDIT:

Ndarja e 40 milionë eurove për KOSTT-in, Hoti: Menaxhimi i sektorit të energjisë nga ana e Qeverisë është kaotik

Ndarja e 40 milionë eurove për KOSTT-in, Hoti: Menaxhimi i sektorit të energjisë nga ana e Qeverisë është kaotik
Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me ndarjen e 40 milionë eurove nga ana e Qeverisë për Operatorin e Sistemit të Transmisioni dhe Tregut (KOSTT) me qëllim të pagesës së borxhit ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E).

Hoti me anë të një shkrimi në Facebook ka pyetur se me çfarë plani janë ndarë këto mjete, duke shtuar se menaxhimi i sektorit të energjisë nga ana e Qeverisë së Kosovës është kaotik.


“40 milionë euro për KOSTT-in?! Me çfarë plani ndahen këto mjete? A duhet ky vendim të sillet në Kuvend siç u veprua vitin e kaluar?! Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë”, thuhet në reagimin e Hotit, përcjell Telegrafi.

Ai shton se emergjenca energjetike e miratuar sivjet në Kuvend nuk përmban asnjë masë konkrete.

“Dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim para dy jave në Kuvend, por ai nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç detyrave të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjet për kursim të energjisë. Procesi i rishikimit të tarifave nga ZRRE-ja në fillim të këtij viti krijoi kaos, sidomos pas një serie të vendimeve gjyqësore dhe paqartësisë dhe vonesave të Qeverisë lidhur me reagimet ndaj krizës energjetike. Në fund të sezonit dimëror, Qeveria nuk i zbatoi as zotimet e veta. Sot kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret”, shton ai.

Hoti: Mosrishikimi i buxhetit do të ndikojë negativisht në investimet kapitale dhe punësim
Lexo po ashtu Hoti: Mosrishikimi i buxhetit do të ndikojë negativisht në investimet kapitale dhe punësim

Në fund, Hoti thekson se furnizimi afatgjatë me energji nuk zgjidhet me bateria.

“Në afat të gjatë, furnizimi me energji nuk zgjidhet me bateria, pasi ato ndihmojnë vetëm në stabilitetin e sistemit. Furnizimi stabil afatgjatë sigurohet me ndërtim të kapaciteteve të reja, të cilat mund të jenë me qymyr ose me gaz. Alternativa me gaz ka qenë e gatshme në qeverinë e kaluar, por fatkeqësisht u injorua për motive që i dinë ata që e injoruan atë alternativë”, përfundon Hoti. /Telegrafi/