Nagelsmann konfirmon mungesën e yllit të Bayernit në Kupën e Botës pas lëndimit, tregon zëvendësuesin e tij

Kombëtarja gjermane e futbollit mbeti pa një nga talentët e saj më të mëdha përpara fillimit të Kupës së Botës. Lojtari i ri i Bayernit Munichut, Lennart Karl, definitivisht nuk do të luajë në Kupën e Botës 2026 pasi pësoi një dëmtim në muskulin e kofshës.
Futbollisti 18-vjeçar u lëndua gjatë seancës së fundit stërvitore para një ndeshjeje miqësore kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një nga vendet pritëse të kampionatit të ardhshëm.
Karl ishte më parë ndër individët më të spikatur në fitoren bindëse 4-0 të Gjermanisë ndaj Finlandës. Lojtari i ri sulmues e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe gjithashtu regjistroi një asistim për një nga golat.
Në vend të tij, në ekipin kombëtar u thirr mesfushori i talentuar i RB Leipzig, Assan Ouedraogo dhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas lajmit për dëmtimin e Karl.
"Më vjen shumë keq për Lennartin. Mungesa e Kupës së Botës është një tronditje e madhe për të, por edhe për të gjithë ekipin. Ngushëllimi i vetëm është se ai është shumë i ri dhe ka shumë gara të tjera të mëdha përpara në të ardhmen. Do të kishim dashur që ai të kishte mbetur pjesë e skuadrës sonë", ka thënë fillimisht Nagelsmann.

Duke folur për zëvendësimin e tij, trajneri gjerman theksoi se pret shumë nga Ouedraogo.
"Assan, ashtu si Lennart, la një përshtypje të shkëlqyer që nga dita e parë. Ai është një lojtar jashtëzakonisht i talentuar dhe ne besojmë se ai do të tregojë guxim dhe cilësi në fushë", shtoi Nagelsmann.

Ndeshja kundër SHBA-së do të jetë prova e fundit për gjermanët para fillimit të Kupës së Botës 2026.
Gjermania do të hapë garën në Grupin E më 14 qershor me një ndeshje kundër Curacaos. Kjo pasohet nga ndeshjet kundër Bregut të Fildishtë më 20 qershor dhe Ekuadorit më 25 qershor. /Telegrafi/





































