eksperti-banner

Real Madridi duket se është gati të hapë një kapitull të ri spektakolar nën drejtimin e Jose Mourinhos. Pas një sezoni me ndryshime të mëdha, klubi madrilen po punon intensivisht për të ndërtuar një skuadër që kombinon yjet më të mëdhenj të botës me talentët më premtues të brezit të ri.

Sipas projeksioneve të fundit, “Los Blancos” mund të paraqiten në sezonin 2026/27 me një formacion që në letër duket pothuajse i pandalshëm, pasi ekipit pritet t’i shtohen pesë përforcime të mëdha në ekipin titullar.


Në portë vazhdon të jetë Thibaut Courtois, gardiani belg që mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës edhe në vitet e fundit të karrierës së tij.

Mbrojtja pritet të përjetojë revolucionin më të madh. Denzel Dumfries tashmë është transferuar për të mbuluar krahun e djathtë, ndërsa Ibrahima Konate është afruar për të sjellë forcë, shpejtësi dhe dominim fizik në qendër të mbrojtjes.

Nëse Real Madridi arrin të bindë Manchester Cityn për Josko Gvardiolin, atëherë Mourinhos do t’i besohej një repart mbrojtës që kombinon agresivitetin, teknikën dhe aftësinë për të ndërtuar lojën nga prapa. Përkrah tyre, sensacioni Dean Huijsen shihet si një nga shtyllat e projektit afatgjatë.

Në mesfushë, Federico Valverde mbetet motori i ekipit. Energjia e tij e pafund, intensiteti në presion dhe aftësia për të mbuluar çdo cep të fushës e bëjnë uruguaianin një nga lojtarët më të rëndësishëm në sistemin e Mourinhos. Përpara tij, Jude Bellingham do të vazhdojë të jetë lideri teknik dhe kreativ, lojtari rreth të cilit ndërtohet pjesa më e madhe e aksioneve sulmuese.

Por ambiciet e madrilenëve nuk ndalen këtu. Enzo Fernandez mbetet një nga objektivat kryesorë të verës dhe shihet si profili ideal për të kompletuar mesfushën. Argjentinasi do të sillte kontroll, qetësi dhe cilësi në organizimin e lojës, duke krijuar një treshe të frikshme me Valverden dhe Bellinghamin.


Në krahun e djathtë të mesfushës, Bernardo Silva është shumë pranë të kompletojë transferimit. Portugezi, një nga lojtarët më inteligjentë taktikisht në futbollin evropian, do t’i jepte Mourinhos fleksibilitet maksimal, posedim të topit dhe kreativitet në zonat vendimtare.

Ndërkohë, sulmi do të vazhdojë të jetë arma më e fortë e “Mbretërve”. Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe formojnë ndoshta dyshen më të shpejtë dhe më shpërthyese në futbollin botëror. Me Bellinghamin pas tyre dhe me mbështetjen e Bernardos, ky repart ka potencialin të shkatërrojë çdo mbrojtje në Evropë.

Ajo që e bën edhe më të frikshëm këtë projekt është thellësia e skuadrës. Antonio Rudiger, Eder Militao, Trent Alexander-Arnold, Arda Guler dhe Aurelien Tchouameni pritet të jenë ‘yjet nën mëngë’ nga banka rezervë. Në shumicën e klubeve evropiane këta futbollistë do të ishin titullarë të padiskutueshëm, ndërsa te Real Madridi mund të shërbejnë si luks rezervash. /Telegrafi/

telegrafi sport app