Mourinho ka formulën për Mbappen? Kupa e Botës i dha përgjigjen që Real Madridi e kërkonte

Vetëm dy muaj më parë, Kylian Mbappe ishte në qendër të kritikave të tifozëve të Real Madridit. Në "Santiago Bernabeu" dëgjoheshin vërshëllima në drejtim të francezit, ndërsa një pjesë e tifozëve kishin nisur madje edhe një peticion për largimin e tij.
Por gjithçka ndryshoi gjatë Kupës së Botës. Si kapiten i Francës, Mbappe udhëhoqi "Gjelat" deri në gjysmëfinale, fitoi Këpucën e Artë, u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze dhe vendosi rekord si realizatori më i mirë në historinë e Kupës së Botës.
Kontrasti mes paraqitjeve të tij me Francën dhe atyre te Real Madridi ka nxitur debat, sidomos tani që Jose Mourinho ka marrë drejtimin e klubit madrilen. Sipas një analize të publikuar nga “Tribuna.com”, trajneri portugez mund të gjejë përgjigjet për ta rikthyer Mbappen në versionin e tij më të mirë pikërisht te mënyra se si Didier Deschamps e përdori në Botëror.

Si e shfrytëzoi Deschamps potencialin e Mbappes?
Ish-përzgjedhësi i Francës i dha Mbappes liri të madhe në sulm. Edhe pse nominalisht luante si sulmues qendror, ai kishte të drejtën të zhvendosej në krahun e majtë apo të djathtë për të krijuar hapësira dhe për të qenë më i rrezikshëm.
Pas ndeshjes ndaj Senegalit, kur Mbappe pati vështirësi në pjesën e parë, Deschamps nuk ndryshoi pozicionin e tij.
"Ai është sulmues qendror. Ne i japim lirinë të lëvizë majtas ose djathtas, por zakonisht është në qendër ku shënon golat", kishte deklaruar trajneri francez.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte fakti se Mbappe kishte shumë pak detyra mbrojtëse. Deschamps nuk i kërkonte të bënte presion të vazhdueshëm apo të ndiqte mbrojtësit kundërshtarë.

"Në qendër ka më pak detyra mbrojtëse. Ai ka këmbë të jashtëzakonshme dhe pikërisht aty bën diferencën më të madhe", kishte shpjeguar Deschamps.
Po ashtu, Franca ndërtoi lojën për ta furnizuar vazhdimisht Mbappen. Michael Olise ishte organizatori kryesor, ndërsa Bradley Barcola dhe Desire Doue krijonin hapësira dhe transportonin topin përpara, duke i lejuar kapitenit të përqendrohej te finalizimi.
Problemet që pati te Real Madridi
Statistikat individuale të Mbappes në sezonin e kaluar ishin mbresëlënëse. Ai realizoi 42 gola në 44 ndeshje në të gjitha garat gjatë sezonit 2025/26, ndërsa vetëm Harry Kane shënoi më shumë në pesë ligat kryesore të Evropës.
Megjithatë, problemet nuk lidhen me golat. Pozicioni i tij në fushë ndryshoi vazhdimisht, ndërsa ai shpesh përfundonte duke ndarë të njëjtën zonë me një tjetër lojtar që preferon krahun e majtë.
Në të njëjtën kohë, kontributi i tij në fazën mbrojtëse u bë objekt kritikash të vazhdueshme, ndryshe nga ajo që ndodhte te Franca, ku kjo pjesë e lojës nuk ishte prioritet.
Një tjetër problem ishte mungesa e kreativitetit në mesfushën e Real Madridit. Skuadra përfundoi pas Barcelonës në kampionat, u eliminua nga Bayern Munich në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe u largua herët edhe nga Kupa e Mbretit. Brenda sezonit u shkarkuan dy trajnerë, fillimisht Xabi Alonso dhe më pas Alvaro Arbeloa.

Sipas analizës, Mbappe u bë objektivi kryesor i kritikave në një ambient të tensionuar në dhomat e zhveshjes.
Një model që përsëritet në karrierën e tij
Edhe te Paris Saint-Germain, Mbappe grumbulloi statistika fantastike personale dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, por nuk arriti ta fitonte Ligën e Kampionëve. Ironikisht, PSG e fitoi trofeun menjëherë pas largimit të tij dhe më pas e mbrojti titullin.
Edhe te Real Madridi historia ka qenë e ngjashme. Shumë gola, Këpuca e Artë Evropiane, por asnjë trofe madhor.
🗣️ "I've read that you liked Michael Jordan? Michael Jordan would grab his teammates by the balls & start defending with them like a son of a bitch."
Extraordinary clip of Luis Enrique scolding Kylian Mbappe. A conversation which transcends football ⚽️🤝🏀
📹 @movistarfutbol pic.twitter.com/a2kSWMa7uL
— Men in Blazers (@MenInBlazers) October 3, 2024
Edhe Franca, pavarësisht sulmit spektakolar me Mbappen, Dembele, Barcola, Doue dhe Olise, nuk arriti të fitonte Kupën e Botës. Spanja e eliminoi në gjysmëfinale me rezultat 2-0, ndërsa më pas Anglia fitoi ndeshjen për vendin e tretë me rezultat 6-4, duke ekspozuar dobësitë mbrojtëse të francezëve.
Sfida e Mourinhos
Për Jose Mourinhon sfida është gjetja e ekuilibrit mes lirisë që i nevojitet Mbappes dhe organizimit që kërkon vetë trajneri portugez.
Modeli i Deschamps dëshmoi se Mbappe jep maksimumin kur ka liri, pak detyra mbrojtëse dhe një skuadër që luan për ta furnizuar. Megjithatë, ai model nuk solli trofe.

Nga ana tjetër, filozofia e Mourinhos është ndërtuar gjithmonë mbi disiplinën, strukturën dhe stabilitetin defensiv.
Megjithatë, portugezi ka një precedent që i jep optimizëm. Në periudhën e tij të parë te Real Madridi, ai ndërtoi një skuadër që e vendoste Cristiano Ronaldon në kushtet ideale për të shënuar, duke i kërkuar shumë pak angazhim në mbrojtje.
Rezultati ishte sezoni historik 2011/12, kur Ronaldo realizoi 46 gola në La Liga dhe Real Madridi fitoi titullin me rekord prej 100 pikësh.
Tani mbetet të shihet nëse Mourinho do të arrijë ta përsërisë të njëjtën formulë edhe me Mbappen, duke e kthyer jo vetëm në një makinë golash, por edhe në liderin që do ta udhëheqë Real Madridin drejt trofeve./Telegrafi/














































