Tifozët e Spartakut kundër transferimit të Dakut, shfaqin pankartë fyese: Fundërrina shqiptare jashtë!

Transferimi i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka shkaktuar reagime të forta edhe para zyrtarizimit të marrëveshjes.
Grupi i tifozëve të Spartakut, "Crazy North", ka dalë publikisht kundër afrimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, duke publikuar një fotografi me një pankartë fyese dhe një deklaratë me përmbajtje ofenduese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Në kanalin e tyre në Telegram, grupi ultras shkroi: “Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Ne mbështesim popullin vëlla serb dhe qëndrimi ynë ndaj ustashëve, si dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar”.
Në anën tjetër, mesazhi në pankartë thuhet: “Fundërrina shqiptare jashtë!”.

Pavarësisht kësaj, sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska ka arritur tashmë marrëveshje me Dakun për kushtet personale dhe pritet që transferimi i sulmuesit 28-vjeçar të finalizohet së shpejti.
Daku largohet nga Rubin Kazan pas një periudhe të suksesshme, gjatë së cilës zhvilloi 93 ndeshje dhe realizoi 38 gola, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të spikatur të kampionatit rus./Telegrafi/














































