Finalja e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Liverpoolit do të zhvillohet sonte (e shtunë) nga ora 21:00.

Dy gjigantë evropianë që kanë treguar futboll të jashtëzakonshëm këtë edicion, do të përballen në Parin në stadiumin ‘Stade de France”.

Liverpooli kërkon trofeun e shtatë, ndërsa Real Madridi të 14-tin.

Jurgen Klopp dhe Carlo Ancelotti, dy strategë të njohur të futbollit, pritet që me formacionet e tyre të dhurojnë spektakël në këtë përballje, ndërsa lider të skuadrave janë Mohamed Salah (Liverpool) dhe Karim Benzema (Real Madrid).

Salah, njeriu i golave te Liverpool

Pavarësisht faktit se Mohamed Salah pati momente jo shumë të mira në vitin 2022, ai ka shkëlqyer në fillim të sezonit.

Egjiptiani kishte premtuar se do të kthehet në finale të Ligës së Kampionëve dhe ia arriti një gjëje të tillë.

Këtë sezon me Liverpoolin në Ligën Premier ai nuk arriti ta fitojë titullin, por e fitoi “Këpucën e Artë” të elitës së futbollit anglez, ku bashkë me Heung-Min Sonin, shënuan nga 23 gola secili.

Në Ligën e Kampionëve ai ka realizuar tetë gola dhe dy asistime në 12 ndeshje.

Benzema, sezoni i jetës për francezin

Ka shumë lojtarë që kanë shkëlqyer te Real Madridi në këtë sezon kur skuadra e fitoi La Ligan dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve, por kryesori mbetet Karim Benzema.

Sulmuesi francez e mbylli La Ligën me 27 gola dhe 12 asistime në 32 paraqitje.

Në anën tjetër në Ligën e Kampionëve ka shënuar 15 gola dhe ka dhënë dy asistime në 11 ndeshje të zhvilluara.

Benzema luajti rol të rëndësishëm edhe në eliminimin e Paris Saint-Germainit, Chelseat e Manchester Cityt.

Benzema është lojtari më i rëndësishëm i Realit aktualisht, sepse me të në fushë, gjithçka është e hapur. /Telegrafi/