LAJMI I FUNDIT:

Miqësia e Arabisë Saudite me Putinin, të bëhet alarm zgjimi për Perëndimin

Miqësia e Arabisë Saudite me Putinin, të bëhet alarm zgjimi për Perëndimin

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Çdo foto tregon një histori, ose kështu thuhet, dhe fotografia e një Vladimir Putini të buzëqeshur duke shtrënguar dorën me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman – në ndeshjen hapëse të Kupës Botërore të futbollit për burra, në Moskë, në qershorin e vitit 2018 – kishte një paralajmërim të qartë për Perëndimin.

Mesazhi, për ata që donin ta dëgjonin: Arabia Saudite, e ushqyer nga britanikët në ditët e perandorisë, e mbrojtur nga ShBA-ja kundër Sadam Huseinit dhe Iranit, dhe e falur prej lidhjeve të saj të ngushta me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, nuk ishte më aleat i varur dhe i mundshëm, siç ka qenë dikur. Princi Mohammed po bënte miq të rinj.

Të pasur në mënyrë marramendëse me naftën në dukje të pakufishme, duke ndjekur një politikë të rreptë të jashtme rajonale në Jemen dhe në Liban, duke ndërtuar lidhje me Rusinë dhe me Kinën, dhe duke shpërfillur me arrogancë shqetësimet e perëndimorëve për të drejtat e njeriut, sauditët po shkonin në rrugën e vet.

Asgjë nuk i simbolizon më fuqishëm këto aleanca të ndryshuara, sesa trashëgimtari i fronit me mjekër të dendur, me trup të fortë, tashmë de facto sundimtar i vendit dhe një njeri në moshën 37-vjeçare që mund të pritet të sundojë edhe për 50 vitet e ardhshme.

Dhe, ja ku ishte, askund tjetër pos në Moskë, duke u lidhur përzemërsisht me presidentin vrasës të Rusisë. Edhe atëherë Putini ishte lider i një regjimi nën sanksione perëndimore, për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 – një bandit autoritar që besohet me të madhe për helmimet në Sollsbëri në fillim të atij viti, si dhe për sulmet tjera vdekjeprurëse ndaj politikanëve rivalë, kritikëve dhe gazetarëve brenda dhe jashtë Rusisë. Megjithatë, Mohammedi dukej si në shtëpi, ndërsa turma ulërinte dhe Rusia shënoi gol.

Pastaj, vetëm katër muaj më vonë, në tetor të vitit 2018 ndodhi vrasja në Stamboll e gazetarit kundërshtues saudit, Jamal Khashoggi. Për brutalitetin dhe paturpësinë e madhe, dukej si vrasje shtetërore që ka dalë nga manuali i Putinit.

Tek dy vjet më vonë Joe Biden u zgjodh president i ShBA-së. Gjatë fushatës së tij, pas vrasjes së Khashoggit, e quajti “pari” Arabinë Saudite, dhe si rrjedhojë edhe princin e saj të kurorës. Si president ai i ngriu shitjet e armëve dhe i lëshoi informacionet që implikonin princin.

Gjithë kjo e bëri të turpshme vizitën e tij në Riad, në korrik të këtij viti, dhe shumë të vështirë për ta gëlltitur përshëndetjen e tij famëkeqe me një Mohammed cinik. Pse e bëri këtë Bideni? Ishte një pyetje me disa përgjigje të mundshme, po aq të pakënaqshme, dhe një pyetje që tani u kthye dhe e përndjek atë. Bideni donte që sauditët dhe anëtarët tjerë të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të rrisnin, ose të paktën ta mbanin prodhimin e njëjtë të naftës, në mënyrë që të kundërshtonin përdorimin e gazit dhe të naftës nga Rusia, si një armë në luftën më të gjerë Lindje-Perëndim për pushtimin e Ukrainës nga Putini.

Donte t’ia kujtonte princit se ShBA-ja është ende lojtare e madhe në Lindjen e Mesme, për t’i inkurajuar lidhjet më të ngushta me Izraelin, dhe për ta forcuar frontin e bashkuar kundër Iranit. Mbi të gjitha, ndoshta donte të jepte një goditje në emër të demokracisë, në atë që ai e quante si garë globale me autoritarizmin.

Në mënyrë të natyrshme, Bideni donte ta ulte çmimin e benzinës për shoferët dhe për konsumatorët amerikanë, dhe në këtë mënyrë t’i avanconte shanset e demokratëve në zgjedhjet afatmesme të Kongresit, gjatë muajit të ardhshëm. Donte të tregonte se ky Joe i vjetër i zgjuar mund ta bënte këtë.

Mbi të gjitha, nëse jo kryesorja, synimet e Bidenit u rrëzuan javën e kaluar kur OPEC+, një grup që përfshin Rusinë, vendosi të ulte prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë, dhe jo ta rriste atë. Ky veprim duket se e ka tronditur vërtetë Shtëpinë e Bardhë. Është marrë si shuplakë personale për presidentin. Ishte poshtëruese.

Pothuajse po aq keq, kjo ishte fitore mahnitëse për Putinin. Edhe pse ulja e naftës mund të mos bëjë ndonjë ndryshim të madh në çmimin global, i vendosi sauditët dhe anëtarët tjerë të kartelit kundër ShBA-së dhe Evropës së uritur për energji, dhe ata dolën në anën e rusëve – një pretendim që sauditët e mohojnë fuqishëm tash.

Furia nisi që atëherë, me demokratët që kërcënojnë të sanksionojnë OPEC-un, të pezullojnë bashkëpunimin për mbrojtje dhe siguri me Riadin, t’i ngrijnë transferet e armëve, t’i tërheqin trupat amerikane dhe të nisin rivlerësimin e plotë të marrëdhënieve amerikano-saudite që Biden i premtoi, por nuk i realizoi kurrë.

Ata kanë të drejtë të zemërohen. Edhe pse disa nga këto masa nuk ka gjasa të zbatohen ndonjëherë, marrëdhëniet Arabi Saudite-ShBA prej kohësh kanë qenë toksike. Kërkohet një pastrim në shtëpi.

BE-ja, gjithashtu, sapo ka gjetur një arsye tjetër të fuqishme për t’u pajtuar dhe për t’i zbatuar kufijtë e çmimeve të gazit dhe të naftës, për t’i dhënë fund importeve ruse dhe për të rivlerësuar marrëdhëniet. Po kështu, Britania e Madhe duhet të bëjë një rivlerësim të vonuar dhe në niveli të gjerë të lidhjeve që shpesh ngrenë pyetjet themelore etike – sidomos pasi ministri i Financave, Kwasi Kwarteng, është figura e fundit publike britanike që u zbulua për takime të fshehta me sauditët.

Lufta e hapur e Arabisë Saudite në Jemen dhe shitja e armëve nga ShBA-ja dhe Britania që e kanë lehtësuar këtë luftë, do të ishin pikënisje e mirë për çdo rivlerësim. Përpjekjet e dyfishuara për ta shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit, të cilin shtet sauditët nuk i besojnë, mund të ndihmojë për ta ulur në tokë Riadin perandorak.

Keqtrajtimi i grave nga regjimi saudit, për shembull i Salma al-Shehabit, studentes së Universitetit të Lidsit që u dënuar me 34 vjet burg për postimet e saj në Twitter; përdorimi i gjykatave të terrorizmit kundër kritikëve; ekzekutimet masive; mohimi kronik i të drejtave demokratike; dhe, censurimi i fjalës së lirë dhe i lirive personale – këto nuk duhet të tolerohen më me heshtje. Presioni duhet të zbatohet.

E papranueshme, gjithashtu, është mënyra se si regjimi përpiqet të pastrojë reputacionin duke hapur rrugën e vet në sportin ndërkombëtar, për shembull duke i përdorur petrodollarët për të marrë përsipër ekipin futbollistik “Newcastle United” të Premier League-së së Mbretërisë së Bashkuar dhe për të financuar turnire prestigjioze të golfit dhe të boksit.

Nëse Mohammedi me të vërtetë preferon shoqërinë e kriminelit Putin të luftës, dhe të shtypësve dhe autokratëve me mendje si Xi Jinpingu i Kinës, ai dhe regjimi i tij duhet të paguajnë çmim të lartë sa i përket qasjes së privilegjuar dhe mbështetjes nga udhëheqësit dhe vendet perëndimore. Ai duhet të mendojë mirë se çfarë do të thotë kjo, për shembull, për mbrojtjen e ardhshme të mbretërisë së tij kundër raketave dhe dronëve të Iranit. Bideni herën e parë kishte të drejtë. Por, statusi i parisë duhet të nënkuptojë diçka.

Më e rëndësishmja, ShBA dhe demokracitë perëndimore duhet të demonstrojnë me veprime se beteja e madhe globale e shekullit XXI, për lirinë, demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe ligjin ndërkombëtar, e ilustruar dhe simbolizuar nga lufta për Ukrainën, është shumë e rëndësishme, tepër vendimtare dhe tepër epike për t’u shkëmbyer me një fuçi të lirë nafte. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori