Futbolli bashkon, pushteti përvetëson

Kur kapiteni i Spanjës ngriti Kupën e Botës më 19 korrik 2026, bota nuk pa vetëm kurorëzimin e kampionëve. Ajo pa edhe një skenë që futbolli e ka përsëritur prej gati një shekulli: aty ku lind një fitore që emocionon miliona njerëz, pushteti kërkon të jetë gjithmonë i pranishëm.
Në podium, pranë lojtarëve, ndodheshin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Hyrja e tyre në fushë u shoqërua me fishkëllima nga një pjesë e publikut, ndërsa prania e Trumpit në ceremoninë e trofeut ndezi një debat që shkonte shumë përtej sportit. Për disa çaste, vëmendja nuk ishte më te kampionët e botës, por te marrëdhënia e ndërlikuar mes futbollit dhe pushtetit.
Megjithatë, prania e Donald Trumpit në ceremoninë e finales nuk ishte episodi i vetëm që nxiti debat mbi kufirin mes sportit dhe politikës. Disa ditë më herët, vetë presidenti amerikan pranoi se kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të kërkuar rishikimin e kartonit të kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun. Më pas, Komisioni Disiplinor i FIFA-s pezulloi dënimin automatik me një ndeshje, duke i mundësuar lojtarit të aktivizohej përballë Belgjikës.
Edhe pse FIFA këmbënguli se vendimi ishte marrë nga organet e saj të pavarura dhe jo si rezultat i ndërhyrjes politike, rasti ndezi një debat ndërkombëtar mbi pavarësinë e drejtësisë sportive dhe perceptimin e barazisë në zbatimin e rregullave. Nëse këto episode do të kufizoheshin vetëm te një personazh politik, ato do të ishin thjesht kronikë e një Botërori. Në të vërtetë, ato rikthejnë një dilemë që e ka shoqëruar futbollin prej dekadash: ku përfundon përfaqësimi legjitim institucional dhe ku fillon përpjekja e pushtetit për të përvetësuar suksesin sportiv? Prania e krerëve të shtetit në një finale është pjesë e protokollit dhe askush nuk e vë në diskutim këtë.
Debati lind kur roli ceremonial fillon të zbehet përballë dëshirës për të ndikuar në narrativën e turneut, në vendimmarrjen sportive ose në momentet simbolike që, në thelb, u përkasin vetëm lojtarëve. Në atë çast, vëmendja nuk ndahet më mes politikës dhe futbollit; ajo zhvendoset nga meritat e kampionëve te pesha e pushtetit. Historia tregon se lidhja mes futbollit dhe pushtetit është pothuajse po aq e vjetër sa vetë Kupa e Botës. Në vitin 1934, Italia fashiste e Benito Musolinit e përdori organizimin e turneut si një vitrinë për regjimin. Stadiumet, ceremonitë dhe fitorja e kombëtares italiane u përfshinë në propagandën që synonte ta paraqiste fashizmin si sistem force, disipline dhe epërsie kombëtare. Suksesi i lojtarëve ishte real, por kuptimi politik që iu dha atij u ndërtua nga pushteti.
Një shembull edhe më tronditës erdhi në Argjentinën e vitit 1978. Dy vjet pas grushtit ushtarak të shtetit, junta e Jorge Rafael Videlës kërkonte t’i paraqiste botës një vend të rregullt, të bashkuar dhe të aftë për të organizuar një ngjarje madhështore. Ndërkohë, regjimi ushtronte represion të rëndë ndaj kundërshtarëve, me rrëmbime, tortura dhe zhdukje të detyruara. Zhurma e stadiumeve bashkëjetonte me heshtjen e familjeve që kërkonin të afërmit e humbur. Megjithatë, vëmendja ndërkombëtare që solli turneu u dha më shumë hapësirë edhe denoncimeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Kështu, futbolli shërbeu njëkohësisht si mbulesë propagandistike dhe si dritare për të ekspozuar realitetin. Në vitin 1998, Franca ofroi një shembull tjetër, më shpresëdhënës. Kombëtarja kampione, e përbërë nga lojtarë me prejardhje të ndryshme, u shndërrua në simbol të një France shumëkulturore. Formula “Black-Blanc-Beur” mishëroi përkohësisht ëndrrën se diversiteti mund të ishte burim force kombëtare dhe jo shkak përçarjeje. Por, vitet e mëvonshme treguan se një triumf sportiv nuk mund të zgjidhë vetë diskriminimin, pabarazitë ekonomike apo problemet e integrimit. Stadiumi mund të prodhojë një moment bashkimi; shoqëria ka nevojë për institucione dhe politika afatgjata që ta ruajnë atë. Katari i vitit 2022 e çoi këtë marrëdhënie në epokën e “fuqisë së butë” [Soft Power].
Organizimi i Botërorit i dha një shteti të vogël një dukshmëri globale të jashtëzakonshme, duke shfaqur kapacitete infrastrukturore dhe ambicie diplomatike. Në të njëjtën kohë, gara tërhoqi vëmendje të madhe mbi kushtet e punëtorëve migrantë, liritë individuale dhe përgjegjësinë e FIFA-s. Turneu tregoi se një vend mund ta përdorë sportin për të ndërtuar reputacion, por ekspozimi global mund t’i nxjerrë në pah edhe problemet që ai do të preferonte t’i mbante larg kamerave. Pikërisht këtu qëndron paradoksi kryesor. Futbolli prodhon një kapital simbolik që pushteti e lakmon, por nuk e krijon dot vetë.
Një qeveri mund të ndërtojë stadiume, të organizojë ceremoni dhe të presë kampionët në pallatet presidenciale. Ajo nuk mund të shënojë golin vendimtar, të bëjë pritjen e portierit apo të prodhojë spontanitetin e tifozëve. Megjithatë, politikanët kërkojnë vazhdimisht të fotografohen me fituesit, sepse fitorja sportive krijon një emocion pozitiv që ata shpresojnë ta transferojnë te figura e tyre. Në vetvete, pjesëmarrja e drejtuesve shtetërorë në ceremoni nuk duhet parë si problem. Ekipet kombëtare përfaqësojnë shtetet dhe është e natyrshme që institucionet t’i nderojnë. Vija e kuqe kalohet kur afërsia me sportin përdoret për përfitim personal, kur ceremonia shndërrohet në skenë politike ose, edhe më rëndë, kur pushteti përpiqet të ndikojë te zbatimi i rregullave.
Rasti i Balogunit është i rëndësishëm pikërisht sepse çështja nuk lidhet vetëm me drejtësinë e një kartoni të kuq. Ajo lidhet me përshtypjen se një telefonatë politike mund të sigurojë një proces që nuk do t’i ofrohej një kombëtareje më të vogël. Kjo e vendos FIFA-n përballë përgjegjësisë së saj. Organizata pretendon neutralitet politik, por negocion me qeveri, kërkon garanci ligjore e financiare dhe merr vendime me pasoja të mëdha ndërkombëtare. Sa më e afërt të bëhet me udhëheqësit politikë, aq më e vështirë është të bindë publikun se rregullat zbatohen njësoj për të gjithë. Neutraliteti nuk mund të jetë vetëm një formulë statutore; ai duhet të shihet në vendimmarrje, në transparencë dhe në distancën nga interesat e pushtetit.
Botërori i vitit 2026 nuk shpiku politizimin e futbollit. Ai thjesht na ofroi versionin më të fundit të një historie të vjetër. Nga Musolini te junta argjentinase, nga simbolika shumëkulturore e Francës te diplomacia e Katarit dhe ndërhyrjet e Trump-it, ndryshojnë epokat, sistemet dhe personazhet, por tundimi mbetet i njëjtë: pushteti kërkon të marrë pjesë në emocionin që krijojnë të tjerët. Megjithatë, futbolli nuk mund të konfiskohet plotësisht.
Qeveritë ndryshojnë, presidentët largohen dhe strategjitë e komunikimit harrohen. Ajo që mbetet në kujtesën kolektive është goli, pritja, lotët e lojtarëve dhe festa e tifozëve. Futbolli mund t’u shërbejë përkohësisht pushteteve, por nuk u përket atyre. Ai u përket njerëzve që e luajnë, atyre që e ndjekin dhe atyre që, për nëntëdhjetë minuta, arrijnë të ndihen pjesë e së njëjtës skuadër.
/Gazeta “Panorama”/


































