Këngëtarja dhe aktorja Miley Cyrus u nderua me yllin e saj në Hollywood Walk of Fame në Los Angeles, në një ceremoni të mbajtur të premten, më 22 maj 2026, ku ajo mbajti një fjalim të ngarkuar emocionalisht dhe, në disa momente, nuk i mbajti dot lotët.

Sipas People, Cyrus e shijoi “momentin e saj” duke falënderuar publikisht familjen dhe njerëzit më të afërt, për mbështetjen që i kanë dhënë ndër vite.


“Të falënderoj familjen time, familjen time të ardhshme, prindërit, mamin, vëllezërit e motrat, miqtë, bashkëpunëtorët… faleminderit që më doni dhe më mbështesni jo vetëm në zgjedhjet që bëj, por edhe në frikërat e mia – dhe që i përballoni bashkë me mua”, u shpreh ajo.

Në ceremoni ishin të pranishëm nëna e saj Tish Cyrus dhe motra Brandi Cyrus, ndërsa Cyrus u shoqërua edhe nga i fejuari i saj, Maxx Morando. Në event morën pjesë gjithashtu figura të njohura si Donatella Versace dhe aktorja Anya Taylor‑Joy, të cilat ishin ndër emrat që e nderuan me fjalë.

Në artikull theksohet edhe mungesa e babait të saj, Billy Ray Cyrus, i cili nuk mori pjesë në ceremoni.

Gjatë fjalimit, Miley foli edhe për peshën simbolike të këtij nderimi. “Ky yll, disi, përfaqëson pavdekësinë… dhe megjithëse më pëlqen vargu, fakti që nuk do të jetoj përgjithmonë është ajo që krijon urgjencën dhe e ndez zemrën time”, tha ajo.

Ajo shtoi se ylli nuk është diçka që “fitohet” si një garë sezonale, por është rezultat i përkushtimit të gjatë.

“Ajo që e bën të veçantë për mua është se ky yll është një grumbullim përkushtimi. Nuk është diçka që e fiton si një lojë sezonale… nuk është diçka që e ndjek apo e mbledh… nuk është diçka që e bën ‘albumin tjetër’ për ta marrë”, u shpreh Cyrus.

Miley Cyrus(Emma McIntyre/Getty Images)

Një nga pjesët më të ndjera ishte kur ajo kujtoi vizitat në Los Angeles kur ishte fëmijë dhe familja e saj vinte nga Nashville.

“Kur erdha për herë të parë në LA si një vajzë e vogël nga Nashville, familja ime qëndronte në një hotel në Hollywood Blvd, dhe unë bëja shëtitje natën vonë me babin tim, kur askush nuk e njihte… kishim dyqanet e suvenireve vetëm për vete dhe blinim ‘Oscarë’ të rremë dhe produkte me Marilyn Monroe. Tani, të jem e ‘cementuar’ në këtë bulevard legjendar… më duket si një ëndërr”, rrëfeu ajo.

Në fund të fjalimit, Miley tha se kjo është diçka që nuk do ta harrojë kurrë dhe se do ta ruajë si kujtim të çmuar, ndërsa pas momentit emocional vendosi syzet e diellit për të fshehur lotët. /Telegrafi/