Kërcënoi se do vriste vajzën e Trumpit, arrestohet 32-vjeçari nga Iraku - detaje

Shtetasi irakian Mohammad Baker Sad Dawood al-Saadi 32 vjeç, për të cilin autoritetet amerikane pretendojnë se është i lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit dhe grupet militante pro-iraniane, dyshohet se planifikoi të vriste Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan, me qëllim që të hakmerrej për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në një sulm me dron amerikan në vitin 2020, raportoi New York Post.
Sipas gazetës, El Sadi dyshohet se bëri një “betim” për të vrarë vajzën e Donald Trump dhe zotëronte planin e shtëpisë së saj në Florida, ku jeton me bashkëshortin e saj Jared Kushner.
Ish-zëvendësatasheu ushtarak i ambasadës irakiane në Uashington, Entifad Qanbar, i tha NYP se pas vrasjes së Soleimanit, El-Saadi tha se “Ivanka duhet të vritet në mënyrë që të digjet shtëpia e Trumpit, siç u dogj e tyre”.
Gazeta tha se El Sadi postoi në rrjetin social X një hartë të lagjes së Floridës ku ndodhet shtëpia 24 milionë dollarëshe e Ivanka Trump dhe Jared Kushner, së bashku me një mesazh në arabisht në të cilin ai kërcënoi se “as pallatet dhe as Shërbimi Sekret nuk do t’i mbrojnë amerikanët” dhe se “hakmarrja është çështje kohe”.
Raportohet se El Sadi u arrestua më 15 maj në Turqi dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për 18 sulme dhe tentativa sulmesh në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Sipas autoriteteve amerikane, El-Saadi ishte i përfshirë në sulme të shumta, duke përfshirë djegien e një banke në Amsterdam, një sulm me thikë në Londër dhe të shtënat në konsullatën amerikane në Toronto, si dhe sulme ndaj objekteve fetare dhe hebraike në Evropë.
I dyshuari aktualisht ndodhet në izolim në Qendrën e Paraburgimit në Bruklin. /Telegrafi/






































