Tom Hardy raportohet se është larguar nga seriali “MobLand” pas tensioneve në sheshxhirim, ndërsa mediet e huaja shkruajnë se aktori kishte krijuar përplasje me producentët dhe bashkë-aktorët gjatë xhirimeve të sezonit të dytë.

Sipas raportimeve, Helen Mirren nuk ka qenë e kënaqur me sjelljen e aktorit në prapaskenë, duke e konsideruar atë arrogant dhe jo gjithmonë korrekt gjatë xhirimeve.


Burime pranë produksionit pretendojnë se Hardy shpesh vonohej në set, kërkonte ndryshime në dialogje dhe jepte komente për skenarin pa iu kërkuar, shkruan DailyMail.

Thuhet gjithashtu se tensionet me producentët Jez Butterworth dhe David Glasser janë përshkallëzuar gjatë prodhimit të serialit, ndërsa raportimet sugjerojnë se Paramount ka vendosur të mos e rikthejë aktorin për sezonin e tretë.

Tom Hardy, i cili luan rolin e Harry Da Souza në serialin criminal, ende nuk ka reaguar publikisht ndaj lajmeve, ndërsa përfaqësuesit e tij nuk kanë dhënë koment për mediet. /Telegrafi/