Policia e Kosovës ka bërë të ditur se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Procesin e Gradimeve.

Policia në një postim në Facebook shkruan se duke e parë nevojën e rritjes së menaxhimit dhe mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës edhe përmes eprorëve policorë të niveleve të ndryshme, ka qenë më se e nevojshme themelimi i grupit punues për rishikim dhe plotësim të Udhëzimit Administrativ për Procesin e Gradimeve.


“Pas rishikimit dhe finalizimit të Udhëzimit Administrativ, i njëjti është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i PK-së, dhe përkrahur nga ministri i Punëve të Brendshme.

Bazuar në këtë udhëzim së shpejti pritet të fillojë procesi i testimeve për gradim, andaj inkurajohen të gjithë zyrtarët policorë që të fillojnë përgatitjet dhe t’i nënshtrohen këtij procesi mjaft të rëndësishëm dhe të nevojshëm për vet zyrtarët dhe Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/