LAJMI I FUNDIT:

Mercedesi kampion për konstruktorë, Hamilton akoma jo

Mercedesi kampion për konstruktorë, Hamilton akoma jo

Nuk u shpall kampion në Austin, por Leëis Hamilton fitoi garën dhe ‘vuri të dyja duart’ te titulli, që vetëm matematikisht nuk e ka fituar ende.

Britanikut të Mercedes i duhej të fitonte 16 pikë më shumë se Sebastian Vettel që të shpallej kampion, por gjermani e mbylli në vendin e dytë garën, pavarësisht se titulli është thuajse i pamundur.


Lewis Hamilton e fitoi garën për Çmimin e Madh të SHBA-ve (Getty Images)

Piloti i Ferrarit bëri një garë spektakolare, veçanërisht në pesë xhirot e fundit, ku rikuperoi edhe tri pozicione, por do të duhet të kënaqet vetëm me faktin se regjistroi xhiron më të shpejtë të pistës.

Piloti i Red Bull, Max Verstappen, realizoi një parakalim spektakolar në xhiron e fundit, ndaj Kimi Raikkonenit dhe e mbylli garën i treti, por kur po priste të ngjitej në podium, u njoftua për një dënim prej pesë sekondash dhe u largua për të lënë sërish finlandezin e Ferrarit, që të shkojë në podium.

Nga ana tjetër, Mercedes ka arritur fitojë titullin kampion për konstruktorë, pasi shkoi në kuotën e 575 pikëve, plot 147 pikë më tepër se Ferrari.

Është thuajse e pamundur që dikush t’ia rrëmbejë titullin britanikut (Getty Images)

Gara filloi në mënyrë të shkëlqyer për Vettel, që ndonëse u nis i dyti, arriti të marrë kryesimin, që në start, por pas vetëm tri xhirosh, Hamilton u rikthye të kryesojë, transmeton Top Channel.

I pafat ishte daniel Ricciardo, që u detyrua të braktisë garën e Austinit, që në xhiron e pestë, për një problem në motor, ndërsa edhe Ferando Alonso nuk arriti të përfundojë garën.

Pas Çmimit të Madh të Austinit, në SHBA, Hamilton kryeson me 331 pikë, ndërsa Vettel e ndjek me 265. Kur kanë mbetur edhe 75 pikë në lojë, duket e pamundur që gjermani i Ferrarit të rikuperojë diferencën prej 66 pikësh me rivalin e tij, Hamilton.

Gara e ardhshme e Formula 1, do të jetë fundjavën e ardhshme, në Meksikë. Dy garat e mbetura do të mbahen më 12 nëntor në Brazil dhe më 26 nëntor, në Emiratet e Bashkuara Arabe.