Lando Norris ka regjistruar fitoren e tij të parë në sezonin 2026 të Formula 1, pasi triumfoi në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke lënë pas Max Verstappenin dhe Kimi Antonellin, të cilët plotësuan podiumin.

Piloti britanik përfitoi nga strategjia e McLarenit dhe nga problemet e shokut të skuadrës, Oscar Piastri, i cili u detyrua të tërhiqej nga gara, ndërsa Lewis Hamilton e mbylli garën në vendin e pestë pas një penalizimi prej pesë sekondash.


Starti i garës i takoi Oscar Piastrit, i cili nga vendi i tretë mori menjëherë kryesimin pas kthesës së tretë. Norris u vendos i dyti, ndërsa Verstappen përfitoi nga një nisje jo ideale e Charles Leclerc për t'u ngjitur në pozitën e tretë.

Në anën tjetër, George Russell pati një start katastrofik, duke rënë nga vendi i shtatë në të 18-in.

Strategjia vendosi fituesin

Pas ndalesave të para në bokse, Verstappen arriti ta rikuperonte pozitën ndaj Hamiltonit, ndërsa dy pilotët e McLarenit vazhduan të udhëhiqnin garën.

Në mesin e garës, Norris kërkoi në radio një strategji ndryshe, duke besuar se kishte ritëm më të mirë se Piastri. Vendimi i ekipit për ta mbajtur më gjatë në pistë rezultoi vendimtar.

Kur britaniku kreu ndalesën e dytë në bokse, ai u rikthye në pistë përpara Piastrit, i cili humbi kohë duke kaluar pilotët e xhiruar dhe pas një kontakti me Carlos Sainzin.


Defekti i Piastrit ndryshoi gjithçka

Momenti vendimtar i garës erdhi në xhiron e 57-të, kur Piastri u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi në kutinë e shpejtësive.

Dalja e Virtual Safety Car u shfrytëzua nga Norris për një ndalesë të fundit në bokse, duke ruajtur vendin e parë deri në fund të garës.


Hamilton gjithashtu përfitoi nga neutralizimi, por më vonë iu desh t'ia kthente pozitën Antonellit, pasi e kishte kaluar në mënyrë të parregullt gjatë daljes nga boksi.

Pak më vonë, shtatë herë kampioni i botës mori edhe një penalizim prej pesë sekondash për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në korsinë e bokseve, duke rënë pas Charles Leclerc në renditjen përfundimtare.

Renditja e pesë pilotëve të parë

  1. Lando Norris (McLaren)
  2. Max Verstappen (Red Bull)
  3. Kimi Antonelli (Mercedes)
  4. Charles Leclerc (Ferrari)
  5. Lewis Hamilton (Ferrari)


Fitorja në Hungaroring është e para për Norrisin këtë sezon dhe e rikthen britanikun fuqishëm në garën për titullin e kampionit botëror.

telegrafi sport app