Abdixhiku tregon se a i ka të gjitha votat brenda LDK-së nëse arrihet marrëveshja me LVV-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të japë mbështetje politike pa u arritur fillimisht një marrëveshje konkrete dhe me përmbajtje.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se diskutimet mes palëve ende po vazhdojnë dhe se për këtë arsye nuk mund të japë detaje rreth përmbajtjes së tyre.
Ai ka theksuar se LDK-ja do t’i ketë të gjitha 18 votat nëse arrihet një marrëveshje që e konsideron të mirë, ndërsa në rast të një marrëveshjeje të papranueshme, sipas tij, nuk do ta ketë as mbështetjen e tij.
“E kam thënë shpeshherë, për marrëveshje të mirë LDK-ja i ka të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, fillimisht duhet të arrihet marrëveshja, e më pas të diskutohet për numrat dhe mundësinë e sigurimit të mbështetjes në Kuvend.
“Fillimisht do të ndërtohet marrëveshja dhe më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë, për numra, për mundësitë e realizimit e kështu me radhë”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se në kuadër të diskutimeve po trajtohen edhe çështjet që lidhen me balancat sociale, ndërsa kërkoi mirëkuptim për mungesën e detajeve deri në përfundimin e procesit negociues.
“Në këtë përpjekje po përpiqemi për balancat sociale. Kërkoj falje që s’mund të jap më shumë detaje sepse jemi në proces diskutues dhe ju lutem që të kemi mirëkuptim për këtë çështje sepse po vazhdojmë tutje diskutimet”, tha ai.
I pyetur nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje, kreu i LDK-së tha se çdo marrëveshje do të bëhet publike vetëm pasi të jetë finalizuar. /Telegrafi/











































