LAJMI I FUNDIT:

Max Verstappen, “djaloshi i artë” i Formula 1

Max Verstappen, “djaloshi i artë” i Formula 1

Kur Max Verstappen bëri debutimin e tij në Formula 1 si 17-vjeçar vitin e kaluar, ai ishte vlerësuar si një yll në rritje, por pak kanë pritur që holandezi të fitonte një garë të F1 kaq herët në karrierë.

Por një vit më vonë, reputacioni i Verstappenit është rritur pasi ai është bërë garuesi më i ri në histori të Formula 1 që ka udhëhequr një garë dhe po ashtu më i riu që ka fituar një garë.


Duke debutuar për skuderinë e Red Bullit në garën e Shpërblimit të Madh të Spanjës, të dielën, Verstappen në moshën 18 vjet e 228 ditë, ka shënuar fitore të madhe, përcjell Koha Ditore shkrimin e Daily Mail.

Por, ky është vetëm fillimi për tinejxherin që nisi stinorin te skuderia Toro Rosso, ekipi junior i Red Bullit, para se të shkëmbente vendet me pilotin rus Daniil Kvyat. Ky i fundit humbi vendin te Red Bulli pas gabimeve që bëri në garën e Shpërblimit të Madh të Rusisë, ku u aksidentua me Sebastian Vettelin e Ferrarit.

Nuk ka qenë sekret që Verstappeni, që ishte garuesi më i ri në histori të F1 dhe më i riu që ka fituar pikë, është vlerësuar si një nga yjet e së ardhmes në këtë sport, por fitorja e së dielës në Spanjë ka befasuar shumë.

I lindur në Hasselt, në lindje të Belgjikës, më 30 shtator të vitit 1997, Verstappen ka qenë i destinuar për të garuar në botën e moto-sporteve, nëse karriera e prindërve të tij do të merrej parasysh.

Jos Verstappen, babai i tij, ishte koleg i Michael Schumacherit në Benetton gjatë një karriere në F1, ku pati 107 gara, ndërsa nëna e Maxit, Sophie Kumpen, ishte një garuese e suksesshme në serinë karting, duke fituar dy tituj të Belgjikës.

Max shpejt ka shkuar hapave të tyre, ndërsa garën e parë karting e pati në moshën 4-vjeçare dhe në vitet e tij të para si garues i ri në karting, ai fitoi gati çdo garë në të cilën ishte futur.