Marrëveshja personale është e kryer, Roma gati ofertën për yllin anglez


Roma po vazhdon punën për transferimin e sulmuesit të Marseille, Mason Greenwood, teksa raportimet nga Italia bëjnë të ditur se verdhekuqtë kanë arritur tashmë marrëveshje me lojtarin për kushtet personale.
Klubi nga kryeqyteti italian është lidhur prej kohësh me një lëvizje për ish-sulmuesin e Manchester United dhe, sipas raportimeve të publikuara të shtunën nga mediat italiane, 24-vjeçari ka dhënë tashmë dritën e gjelbër për transferimin në Serie A.
Sipas “Calciomercato.com”, Roma dhe përfaqësuesit e Greenwood kanë arritur marrëveshje për një kontratë pesëvjeçare, nga e cila futbollisti do të përfitonte rreth 4.5 milionë euro në sezon si pagë fikse.
Po ashtu, paga e tij pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme dhe do të shoqërohet me bonuse të lidhura me paraqitjet dhe objektivat sportive.

Tani, sipas raportimeve të Gianluca Di Marzio dhe Sky Sport Italia, Roma është duke përgatitur ofertën e parë zyrtare për Marseille për të siguruar shërbimet e anglezit.
Raportime të tjera bëjnë të ditur se verdhekuqtë janë të gatshëm të ofrojnë rreth 45 milionë euro, përfshirë bonuset dhe një përqindje nga shitja e ardhshme e lojtarit.
Nga ana tjetër, Marseille vlerëson kartonin e Greenwood në rreth 55 milionë euro, çka nënkupton se ekziston një diferencë prej rreth 10 milionë eurosh mes kërkesës së klubit francez dhe ofertës së Romës.
Megjithatë, ekziston besimi se dy klubet do të arrijnë një kompromis dhe një marrëveshje mund të finalizohet gjatë javëve në vijim./Telegrafi/














































