Mario Mitaj është rikthyer në futbollin evropian, pasi mbrojtësi shqiptar është transferuar te Genoa, ku do të luajë në Serie A gjatë edicionit 2026/27.

Klubi italian ka arritur marrëveshje me Al-Ittihadin për huazimin njëvjeçar të 22-vjeçarit, me të drejtë blerjeje në përfundim të sezonit.


Sipas marrëveshjes, Genoa do t’i paguajë klubit saudit 2 milionë euro për huazimin e Mitajt, ndërsa në qershor të vitit 2027 do të ketë mundësinë ta transferojë përfundimisht për 4.5 milionë euro.

Në total, operacioni mund të arrijë vlerën e 6.5 milionë eurove.

Mbrojtësi i majtë, i cili javën e ardhshme do të festojë ditëlindjen e tij të 23-të, e ka cilësuar kalimin në Serie A si një objektiv të rëndësishëm në karrierën e tij.

“Kalimi në një klub si Genoa dhe në Serie A ishte një objektiv për mua. Jam shumë i motivuar për të treguar se çfarë mund të bëj”, ka deklaruar Mitaj për faqen zyrtare të klubit.

Genoa ka konfirmuar gjithashtu se reprezentuesi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 2.

Pas eksperiencës në Arabinë Saudite me Al-Ittihadin, Mitaj rikthehet në një nga kampionatet më të forta të Evropës, ku do të synojë të dëshmojë vlerat e tij dhe të fitojë një vend të rëndësishëm në formacionin e Genoas./Telegrafi/

telegrafi sport app