Me fillimin e muajit gusht dhe festës kombëtare (më 1 gusht), në Zvicër hyjnë në fuqi një sërë rregullash dhe ndryshimesh të reja që do të prekin drejtpërdrejt xhepin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Siç raporton mediumi publik zviceran SRF, masat e reja përfshijnë që nga gjobat më të ashpra për hedhjen e mbeturinave e deri te ndryshimet në pensione, fluturime dhe çmimet e telefonisë.


Një nga risitë më të dukshme lidhet me mbrojtjen e mjedisit dhe pastërtinë publike. Nga 1 gushti, hedhja pa kujdes e mbeturinave në hapësirat publike do të ndëshkohet me gjoba që arrijnë deri në 100 franga për sasi mbeturinash deri në 17 litra, ndërsa për sasi më të mëdha deri në 110 litra gjoba mund të shkojë deri në 250 franga.

Hedhja e mbeturinave të vogla, si bishtat e cigareve apo qeset plastike, do të gjobitet me 80 franga.

Në fushën e pensioneve, qeveria ka miratuar ndryshime me procedurë të përshpejtuar për të parandaluar problemet me pagesën e pensionit të 13-të të AHV-së.

Ndërkohë, sa i përket transportit ajror, kompania e fluturimeve “Swiss” do të rifillojë fluturimet drejt Tel Avivit në Izrael nga 1 gushti.

Kompania amë “Lufthansa” kishte rinisur fluturimet që nga qershori, ndërsa “Swiss” i kishte pezulluar ato vazhdimisht për shkak të situatës së tensionuar politike dhe ushtarake në rajon.

Në tregun e telekomunikacionit, konsumatorët do të përballen me rritje çmimesh. Kompania “Sunrise” do të rrisë tarifën bazë mujore për celularë dhe internet me 1.50 franga për abonim, ndërsa rritje çmimesh nga 50 centë deri në 2 franga do të aplikojnë edhe markat e saj si “Yallo” dhe “Lebara”.

Për sa i përket tregut të punës, qeveria ka vendosur të mbajë në fuqi kohëzgjatjen maksimale prej 24 muajsh për kompensimin e punës me orar të shkurtuar (Kurzarbeit), një masë kjo që do të mbetet e vlefshme deri më 31 janar 2027 me qëllim ruajtjen e vendeve të punës.

Po ashtu, nga 1 gushti digjitalizohen plotësisht procedurat e kërkesave për natyralizim të zakonshëm (marrjen e shtetësisë), duke lehtësuar shkëmbimin e të dhënave mes autoriteteve kantonale e Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM). /Telegrafi