Manchester United gjen alternativën pas dështimit të Edersonit, afër marrëveshjes me yllin e Aston Villas


Manchester United ka hyrë në bisedime të avancuara për transferimin e mesfushorit të Aston Villas, Youri Tielemans.
Sipas raportimeve, mesfushori belg ka kontratë me Aston Villan deri në verën e vitit 2028, por drejtuesit e klubit nga "Old Trafford" besojnë se mund ta realizojnë transferimin gjatë kësaj vere.
Thuhet se kontaktet mes të gjitha palëve janë duke vazhduar, ndërsa vetë Tielemans favorizon një kalim te Manchester United, pavarësisht interesimit edhe nga klube të tjera.
Lëvizja vjen pasi United vendosi të tërhiqet, të paktën për momentin, nga transferimi i mesfushorit të Atalantas, Ederson.
Klubi anglez kishte arritur marrëveshje me Atalantan për një shumë prej 40.5 milionë eurosh plus 4.5 milionë euro bonuse, ndërsa kishte rënë dakord edhe me lojtarin për kushtet personale. Megjithatë, transferimi u komplikua pas ekzaminimeve mjekësore dhe grumbullimit të Edersonit me Brazilin për Kupën e Botës.
🚨 EXCLUSIVE: Manchester United in advanced talks to sign Youri Tielemans from Aston Villa. All parties in contact as #MUFC try to finalise - 29yo midfielder keen on move. Ederson deal off for now; #MUFC may look to revisit later this summer @TheAthleticFC https://t.co/KbWwD1jxov
— David Ornstein (@David_Ornstein) July 13, 2026
Pavarësisht afrimit të Andrey Santos nga Chelsea, Manchester United vazhdon kërkimet për të përforcuar mesfushën e Michael Carrickut, me Tielemansin që tani është kthyer në objektivin kryesor.
29-vjeçari iu bashkua Aston Villas si lojtar i lirë nga Leicester City në verën e vitit 2023 dhe ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës sezonin e kaluar.
Ai kontribuoi në kualifikimin e Aston Villas në Ligën e Kampionëve dhe triumfin në Ligën e Evropës, duke regjistruar dy gola dhe shtatë asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat.
Trajneri Unai Emery kishte planifikuar ta ndërtonte mesfushën rreth Tielemansit, Boubacar Kamaras dhe Amadou Onanas, por lëndimi i rëndë i këtij të fundit ka ndryshuar planet e klubit.
Tielemans ishte gjithashtu kapiten i Belgjikës në Kupën e Botës 2026, ku shënoi dy gola në fitoren dramatike ndaj Senegalit, por mungoi në çerekfinalen ndaj Spanjës për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë përgatitjeve./Telegrafi/









































