Man City gjen pasuesin e Bernardo Silvas, afër marrëveshjes me yllin anglez që kërkohet edhe nga Unitedi


Manchester City është shumë pranë kompletimit të transferimit të mesfushorit të Nottingham Forest, Elliot Anderson, me dy klubet që po punojnë për detajet e fundit të marrëveshjes.
23-vjeçari është shndërruar në objektivin kryesor të kampionëve të Anglisë për repartin e mesfushës, teksa klubi po përgatitet për jetën pas Bernardo Silvës.
Negociatat mes dy klubeve kanë hyrë në fazën përfundimtare, pasi Nottingham Forest kishte refuzuar dy oferta të mëparshme nga Manchester City për lojtarin.

Interesim për Anderson kishte shfaqur edhe Manchester United, por mesfushori preferon një transferim në “Etihad Stadium”, duke e vendosur Cityn në pozitën më të favorshme për të siguruar shërbimet e tij.
Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka konfirmuar se futbollistët që ndodhen në Kupën e Botës do të lejohen t’i kryejnë kontrollet mjekësore gjatë turneut, gjë që mund t’i mundësojë Andersonit t’i përfundojë formalitetet e transferimit edhe gjatë grumbullimit me kombëtaren.
Mesfushori pritet të ketë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e skuadrës së Manchester Cityt nën drejtimin e trajnerit të ri, Enzo Maresca./Telegrafi/











































