Madonna bëri një rikthim spektakolar në skenën e Coachella, duke u shfaqur papritur gjatë performancës së Sabrina Carpenter dhe duke elektrizuar publikun me hitet e saj më të njohura.

Këngëtarja 67-vjeçare iu bashkua artistes së hitit “Espresso” në fund të performancës, ndërsa muzika kaloi në instrumentalin e këngës ikonike Vogue.


Madonna u ngrit nga poshtë skenës mes brohoritjeve të forta dhe më pas interpretoi së bashku me Carpenter edhe këngën legjendare Like A Prayer, shkruan DailyMail.

Ajo tërhoqi vëmendjen me një korse ngjyrë vjollcë, pantallona të njëjta dhe doreza deri në bërryl, duke treguar edhe një herë stilin e saj të guximshëm.

Gjatë paraqitjes, Madonna kujtoi se kishin kaluar 20 vjet që nga performanca e saj e parë në festival, në vitin 2006, duke e cilësuar rikthimin si një moment shumë domethënës.

Ajo falënderoi publikun dhe Sabrina Carpenter për ftesën, ndërsa theksoi se muzika ka fuqinë të bashkojë njerëzit dhe të krijojë momente të veçanta për të gjithë.

Shfaqja e saj në Coachella vjen në një moment kur artistja po përgatitet për publikimin e albumit të ri Confessions II, i cili pritet të publikohet më 3 korrik.

Ndërkohë, Sabrina Carpenter e mbylli performancën me hitet e saj më të njohura, përfshirë Espresso, duke e bërë mbrëmjen edhe më të paharrueshme për publikun, ku nuk munguan as paraqitje surprizë nga emra të njohur të industrisë së argëtimit. /Telegrafi/