Mbretëresha e popit, Madonna, ka bërë të ditur se më 3 korrik do të publikojë albumin “Confessions on a Dance Floor: Part II”, 21 vjet pas albumit origjinal.

Albumi i ri është vazhdim i projektit të saj të vitit 2005 “Confessions on a Dance Floor” dhe njëkohësisht albumi i saj i parë në studio pas shtatë vitesh, pra që nga “Madame X” i vitit 2019.


Ky projekt i vlerësuar nga kritika solli hite si “Hung Up”, “Sorry”, “Get Together” dhe “Jump”.

- YouTube www.youtube.com

Albumi mori certifikim platini nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA) dhe fitoi Grammy për 'albumin më të mirë elektronik/dance' në vitin 2006.

Madonna më parë kishte lënë të kuptohej për një pjesë të dytë të projektit “Confessions”.

Në dhjetor 2024, ajo ndau një video në Instagram nga studioja me producentin e albumit, Stuart Price.

Në një deklaratë për mediat amerikane, ylli i famshëm kishte deklaruar: “Duhet të kërcejmë, të festojmë dhe të lutemi. Këto janë gjëra që i kemi bërë për mijëra vite; janë praktikisht praktika shpirtërore. Në fund të fundit, pista e vallëzimit është një hapësirë rituale. Është vendi ku lidhesh me plagët e tua, me brishtësinë tënde".

"Bëhet fjalë për shtyrjen e kufijve personalë dhe lidhjen me një komunitet me mendje të njëjtë. Tingulli, drita dhe vibrimi e riformësojnë perceptimin tonë, duke na futur në trans. Përsëritja e basit jo vetëm që dëgjohet, por edhe ndihet. Ajo ndryshon gjendjen tonë të ndërgjegjes dhe shpërndan egon dhe kohën". /Telegrafi/