Massimiliano Allegri është pyetur pas thashethemeve për një transferim të mesfushorit shqiptar, Ardon Jashari te Juventusi, duke ia mbyllur derën një largimi pasi sipas tij ai të jetë një “lojtar i rëndësishëm për të ardhmen e Milanit”.

Milani dhe Juventusi takohen në San Siro të dielën mbrëma, më 26 prill, në ndeshjen derbi të xhiros së 34-të të Serie A.


Para kësaj ndeshje, mediat italiane e kanë lidhur mesfushorin e Milanit, Jasharin, me një transferim te Juventusi, pas minutave të paktë këtë sezon dhe në konferencën e sotme për shtyp është pyetur Allegri rreth kësaj situate.

“Klubi bëri një investim të madh në një lojtar me cilësi të shkëlqyera. Ai pësoi një dëmtim, u rikthye dhe më pas pati më pak kohë loje", ka thënë fillimisht Allegri.

"Por kjo nuk do të thotë që ai papritmas është bërë një lojtar i dobët. Ai është përballur me disa vështirësi, por ka një potencial të madh. Ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Milanin në të ardhmen, ashtu siç De Winter është zhvilluar shumë, dhe Athekame është rritur gjithashtu ndjeshëm”.

“Klubi ka përzier lojtarë me përvojë me më të rinj që kanë nevojë për kohë për t'u zhvilluar. Sigurisht, gjithmonë ka vend për përmirësim”, përfundoi trajneri i Milanit.

Ndryshe, vetëm tre pikë e ndajnë Milanin dhe Juventusin në tabelën e Serie A, me Bianconerët në vendin e katërt dhe Rossonerët në vendin e tretë. /Telegrafi/

telegrafi sport app