Jashari mund të largohet nga Milani, tre klube italiane pas tij

E ardhmja e Ardon Jasharit te Milan mbetet e paqartë, teksa klubi italian po kalon një periudhë ndryshimesh të rëndësishme dhe ende nuk ka emëruar trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane iu bashkua kuqezinjve pas negociatave të gjata me Club Brugge. Milan bëri disa oferta për transferimin e tij, të cilat fillimisht u refuzuan, përpara se të arrihej marrëveshja përfundimtare.
Sipas raportimeve të gazetarit Daniele Longo, ekziston mundësia që Jashari të largohet nga "San Siro" shumë më herët sesa ishte parashikuar. Interesim për 23-vjeçarin kanë shfaqur Roma, Como dhe Atalanta, ndërsa mesfushori po ndiqet gjithashtu nga disa klube në Gjermani dhe Angli.

Një largim i mundshëm i Jasharit do të ngjallte diskutime të shumta në ambientin kuqezi, duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha financiare dhe administrative që u bënë për ta sjellë atë në Milano. Për më tepër, drejtuesit e klubit ende nuk kanë finalizuar emërimin e trajnerit dhe strukturës së re sportive, çka e bën edhe më të vështirë marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e lojtarëve.
Nga ana tjetër, trajneri i ardhshëm mund ta konsiderojë Jasharin pjesë të rëndësishme të projektit sportiv dhe të kërkojë vazhdimin e tij në skuadër.
Sipas raportimeve, vendimi përfundimtar lidhur me të ardhmen e Jasharit pritet të merret pas përfundimit të Kampionatit Botëror, ku ai do të përfaqësojë Zvicrën. /Telegrafi/









































