LAJMI I FUNDIT:

Liverpooli marshon drejt titullit, mposht edhe Wolvesin

Liverpooli marshon drejt titullit, mposht edhe Wolvesin
Liverpool (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Liverpooli ka fituar ndaj Wolverhamton Wanderers me rezultat minimal 1-0 në përballjen e tyre për javën e 20-të në Ligën Premier.

Ekipi i Jurgen Klopp ka vazhduar marshimin drejt titullit në Ligën Premier, pasi ende nuk di për humbje këtë sezon dhe mbyll vitin 2019 me fitore.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim total të vendasve, të cilët përveç rasteve të shumta arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 42-të të ndeshjes dhe ishte Sadio Mane, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Adam Lallanas.

Festa e Manes pas golit (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Wolves arriti të kthehet në lojë në minutat shtesë të kësaj pjesë duke shënuar me anë të Pedro Neto, por goli u anulua për pozitë jashtë loje nga VAR-i.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët provonin të shënonin gol.

Megjithatë, edhe pas 45 minutave asnjëra skuadër nuk arriti ta tund rrjetën dhe Liverpooli mori një fitore të madhe 1-0.

Pas kësaj fitore, Reds kanë plot 55 pikë apo 13 më shumë se vendi i dytë, ndërsa Wolves renditet në pozitën e tetë me 30 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Liverpooli e pret në shtëpi Sheffield Unitedi, ndërsa Ujqit udhëtojnë të Watordi. /Telegrafi/