Liverpooli dhe Paris Saint-Germain ende nuk kanë arritur një marrëveshje për vlerën e sulmuesit francez Bradley Barcola, raporton gazeta prestigjioze franceze L’Equipe.

Klubi anglez pritet të intensifikojë përpjekjet për transferimin e reprezentuesit të Francës, duke përgatitur një ofertë fillestare prej 115 milionë eurosh për yllin e PSG-së.


Megjithatë, Liverpooli është i vetëdijshëm se kjo ofertë mund të mos jetë e mjaftueshme për kampionët francezë, të cilët nuk kanë ndërmend ta lejojnë largimin e Barcolas për një shumë më të ulët se 150 milionë euro, pa përfshirë bonuset eventuale.

PSG e konsideron 23-vjeçarin si një prej talenteve më të rëndësishme të skuadrës dhe dëshiron ta mbajë në Paris, por situata është komplikuar pasi vetë lojtari ka bërë të qartë dëshirën e tij për një aventurë të re.

Sipas raportimeve, Barcola ka njoftuar drejtuesit e PSG-së se nuk dëshiron ta rinovojë kontratën e tij, e cila skadon pas dy vitesh. Ky vendim ka krijuar presion mbi klubin francez, pasi rrezikon të humbasë kontrollin mbi të ardhmen e tij nëse nuk arrihet një marrëveshje gjatë kësaj vere.

Liverpooli e sheh Barcolan si një përforcim ideal për repartin ofensiv dhe beson se francezi mund të jetë një prej yjeve kryesorë të Ligës Premier në vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, edhe PSG është i interesuar të gjejë një zgjidhje, pasi dëshiron të shmangë një situatë ku lojtari hyn në vitet e fundit të kontratës pa një rinovim të sigurt.

Bisedimet mes dy klubeve raportohet se po zhvillohen në një atmosferë pozitive dhe të dyja palët kanë arsye për të arritur një kompromis./Telegrafi/

telegrafi sport app