Kuraja: Malazezët na sulmuan pasi kaluam në epërsi

Ata të cilët pësuan më së shumti ishin Edis Kuraja dhe basketbollisti amerikan Julius Coles, së bashku me trajnerin dhe ndihmës trajnerin Albert Sylejmani.
Në një prononcim për ‘Gazetën Olle’, menaxheri i kryeqytetasve, Edis Kuraja, zbulon gjithë incidentin e ndodhur në Nikshiq.
“Ishte një incident i pahijshëm. E gjitha kjo ndodhi pasi kaluam në epërsi dhe pas një time-out të kërkuar, tifozët filluan të gjuajnë një mjet të madh shpërthyes më e madhe se një petarde e cila kërsiti para këmbëve të mija duke na shkaktuar lëndime”, deklaroi Kuraja.
Ndryshe, ish-basketbollisti i kryeqytetasve thotë se pas kësaj kanë marrë tretman mjekësor pasi kishin pësuar lëndime të lehta trupore. “Unë dhe Coles, kemi qenë më të lënduar dhe pas kësaj kemi marrë tretman mjekësor. Madje Coles, ka edhe një qepje”, u shpreh Kuraja për ‘Gazetën Olle.
Provokuan në kore raciste
Sipas menaxherit sportiv të ‘bardhekaltërtve’ gjatë gjithë ndeshjes tifozët provokonin në kore raciste ‘Vritni vritni shqiptarët’ ‘Kosova është zemra e Sërbisë’ e shumë të tjera. “Gjatë gjithë atyre minutave ata provokuan në kore raciste. Por pas incidenti kryesia e klubit të Sutjeksas në emër të të gjithë qytetit kanë kërkuar falje për incidentin e ndodhur” zbuloi Kuraja.
Kuraja: T’i presim siç është më së miri
Ndeshja e ardhshme në kuadër të Ligës Ballkanike, do të zhvillohet të mërkurën në kryeqytet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Sutjeskas. Kuraja thotë do t’i presin siç është më së miri mysafirët për t’u treguar kulturën të cilët kanë qytetarët e Kosovës. “Të mërkurën do t’i presim siç është më së miri. Do u tregojmë se ne e duam sportin dhe basketbollin”, nënvizoi ai. /Telegrafi/



















































