“Kisha nevojë të ndihesha i dashur”, Jose Mourinho zbulon pse e refuzoi Man Unitedin në vitin 2013 për t’u rikthyer te Chelsea

Jose Mourinho ka zbuluar arsyen e veçantë pse vendosi të mos marrë drejtimin e Manchester Unitedit në vitin 2013, pavarësisht se fillimisht kishte arritur marrëveshje për të pasuar legjendën Sir Alex Ferguson në stolin e “Djajve të Kuq”.
Trajneri portugez, i cili në atë kohë sapo ishte larguar nga Real Madridi, kishte qenë një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e klubit anglez pas pensionimit të Fergusonit.
Megjithatë, Mourinho ndryshoi mendje dhe zgjodhi të rikthehej te Chelsea, klub të cilin e kishte drejtuar edhe më herët.
Në një dokumentar të publikuar nga Netflix, “Special One” ka treguar për herë të parë në detaje se çfarë e shtyu të merrte atë vendim.
“Kur u largova nga Real Madridi, nënshkrova për të shkuar te Manchester Unitedi pas Sir Alexit”.
“Jam ndier shumë i privilegjuar që më ofruan mundësinë për të zëvendësuar Fergusonin, sepse Manchester Unitedi ka një tërheqje të jashtëzakonshme”.

Megjithatë, Mourinho tha se në atë moment të karrierës së tij kishte nevojë për diçka më shumë sesa vetëm një mundësi të madhe profesionale.
“Por një gjë është dashuria për futbollin dhe tjetër gjë është dashuria për një klub të caktuar. Mendoj se kjo e dyta është më e fuqishme se dashuria për futbollin dhe, në thelb, pas Real Madridit, kisha nevojë të ndihesha i dashur”.
Mourinho pranoi se humbja e mundësisë për të pasuar Sir Alex Ferguson ishte një vendim i vështirë dhe dramatik për të, por theksoi se nuk është penduar për zgjedhjen e bërë.
“Për mua, humbja e mundësisë për të qenë trajneri që do të pasonte Sir Alex Fergusonin ishte dramatike, por nuk pendohem për të, sepse ishte një vendim që e mora me zemër”.
Në vend të Manchester Unitedit, portugezi vendosi të rikthehej te Chelsea në verën e vitit 2013, ku vazhdoi të ndërtonte një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij.
Megjithatë, marrëdhënia mes Mourinhos dhe Manchester Unitedit nuk do të mbetej vetëm një mundësi e humbur. Tre vjet më vonë, në vitin 2016, ai përfundimisht mori drejtimin e klubit nga “Old Trafford”, duke qëndruar në krye të skuadrës deri në vitin 2018.
Gjatë periudhës së tij në Manchester United, Mourinho arriti të fitojë tre trofe: Ligën e Evropës, Kupën e Ligës së Anglisë dhe Community Shield./Telegrafi/













































