Një stuhi e fuqishme me breshër ka goditur pjesë të Zvicrës perëndimore dhe veriperëndimore, duke shkaktuar dëme të shumta, ndërprerje të energjisë dhe probleme në transport.

Sipas SRF Meteo, brenda një kohe të shkurtër janë regjistruar rreth 46 mijë shkarkime rrufesh, ndërsa në disa zona breshëri arriti deri në 6 centimetra diametër.




Në kantonin Schaffhausen u regjistruan erëra deri në 142 km/h, ndërsa në Hallau ranë 23 milimetra shi brenda vetëm 10 minutash.

Kantoni i Solothurnit ishte ndër zonat më të goditura.

Autoritetet morën mbi 200 raportime për dëme, megjithëse deri tani nuk janë raportuar persona të lënduar.

Stuhia shkaktoi gjithashtu incidente në rrugë.

Një kamion u përmbys në autostradën A1 dhe përfundoi mbi një furgon transporti, ndërsa në një zonë tjetër katër shtylla elektrike u rrëzuan, njëra prej të cilave ra mbi një shtëpi.

Në Aarau, erërat e forta dëmtuan edhe çatinë e një palestre.

Moti ekstrem shkaktoi ndërprerje të energjisë në disa zona të kantonit Aargau, ndërsa trafiku hekurudhor u prek rëndë.

Fronti i stuhisë u zhvendos drejt lindjes, duke përfshirë zonat e Cyrihut dhe Schaffhausenit.

Meteorologët paralajmëruan për reshje të tjera dhe stuhi të forta në pjesë të vendit, ndërsa kushtet pritet të përmirësohen.