Ish-deputeti socialist, Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit malazez.

Milojko Spajiç akuzoi se dy vende të rajonit kanë planifikuar sulm hibrid ndaj Malit të Zi, ndërsa media pro-qeveritare “Vijesti” shkruan se këto dy vende janë Shqipëria dhe Serbia.


Majko shkruan se ky është një skandal rajonal dhe se Shqipëria nuk ka ‘dashuri’ gjeopolitike me Serbinë.

“Komenti i kryeministrit të Mali të Zi Milojko Spajiç (në rrjetin X), për veprimtari të koordinuara hibride të dy fqinjëve të vendit të tij me synim destabilizimin e vendit janë shqetësuese!

Më shqetësuese janë nënkuptimi që sipas medias malazeze “Vijesti” nga “burime të brendshme” këto dy vende janë Serbia dhe Shqipëria!


Aludimet e kryeministrit të Mali të Zi Milojko Spajiç (në rrjetin X) vënë nën akuzë Shqipërinë e cila nuk ka “dashuri” gjeopolitike për Serbinë!

Deklarime të tilla janë të çuditshme nëse ato nuk shoqërohen me “nota diplomatike” apo edhe në aplikimin zyrtar të tyre në strukturat e Aleancës së NATO-s!

Politika e Malit të Zi ka një trashëgimi të qëndrimeve të sofistikuara! Ky sofistikim i dedikohet edhe një jete të “dyfishtë” në bashkëjetesën me fqinjë, të cilët janë me status jo miqësor me njëri tjetrin!

Kryeministri i Mali të Zi Milojko Spajiç ka dalë përtej qëndrimeve historike të shtetit të tij, duke e vendosur atë në udhëkryq!

Mali i Zi duhet të japë shpjegime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po “sulmon” një anëtar tjetër të kësaj aleance! Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale!

Zgjedhja i takon të bëhet nga strukturat shtetërore të Malit të Zi ku Milojko Spajiç është kryeministër…”, shkruan Majko.