Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka paralajmëruar masa më radikale, përfshirë ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga fermerët, nëse institucionet nuk plotësojnë kërkesat e saj deri më 1 shtator.

Kjo shoqatë, e cila përfaqëson qumështoret dhe sektorin vendor të përpunimit të qumështit, ka paraqitur katër kërkesa, për të cilat kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.


Kryetari i SHIQK-së, Gani Durmishaj, tha se sot janë përpjekur që kërkesat t’ia dorëzojnë ministrit në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, por nuk kanë arritur të takohen me të, pasi siç tha ai dera ishte e mbyllur.

"Nuk pata mundësi me kërku ministrin ish hermetikisht hermetikisht e mbyllur dera e kabinetit të ministrit. U munduam që me ia dërguar vendimin e sotshëm dhe nuk patëm mundësi të takohemi. Ne e lamë te rojtari këtu, apo te polici, një me shkrim, u munduam me protokollu, po asnjë nga zyrtarët e ministrisë nuk patën guximin të marrin atë vendim dhe të çojnë deri sot te ministri. U munduam edhe me ministrin me i diskutuar, nuk e patëm këtë mundësi. Ne do të vazhdojmë me punët tona, me këto pika çfarë i kemi", tha ai.

Sipas tij, shoqata është përpjekur edhe më herët që të zhvillojë një takim me ministrin për t’i diskutuar pikat e kërkesave, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

"Kthimin e menjëhershëm të punës për prodhimin e produkteve. Kërkojmë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të dalë me një komunikatë zyrtare për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke konfirmuar se produktet e prodhuara nga industria vendore, janë të sigurta për konsum. Kërkojmë nga gjykatat kompetente të Republikës së Kosovës që të anulojnë vendimin e datës 15.05.2026, me numër 1414, të nxjerrë nga ministri Armend Muja. Kërkojmë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) që të ndërmarrë masa konkrete për adresimin e çmimeve dumping në treg për produktet e qumështit. Në rast se kërkesat tona nuk plotësohen dhe nuk ndërmerren masa konkrete nga institucionet kompetente, nga data 01.09.2026 do të ndërpritet grumbullimi i qumështit nga qumështoret", tha ai.

Durmishaj tha se vendimi i marrë nga ministri ka shkaktuar, sipas tij, dëme të mëdha për qumështoret vendore dhe ka ndikuar edhe në shitjen e produkteve.

"Unë mendoj që kjo ka bërë një skandal, po do të bëhet një skandal bukur i madh, me keqardhje po them. Nuk është vendimi ynë. Ne disa herë e kemi potencuar që ne mund të përpunojmë jo vetëm qumështin e Kosovës, por edhe me importu qumësht të freskët. Problemi është që vendimin të cilin e ka marrë ministri, na e ka ndërprerë prodhimin në qumështorët e Kosovës", ka theksuar Durmishaj.

Ai tha se vendimi ka ndikuar edhe në perceptimin e konsumatorëve për produktet vendore, i cili tha se dukshëm ka rënë shitja.

"Konformimi 20.000 fermerë me NIFAT, të cilët janë ndër këto qumështorët që e dinë. Kjo nuk janë për disa qumështorë, por unë vendim për të gjitha qumështorët të cilat janë anëtarë të shoqatës së Industrisë së Qumështorëve të Kosovës...Kur bëni skandal të jashtëzakonshëm, ne nuk po kërkojmë që ata veç me thënë. Në bazë të analizave të cilat i ka bërë AVUK-u dhe na i ka kthyer nëpër qumështore, nuk ka gjetur diçka që është e dëmshëm që kanë publikuar këta për opinionin, për konsumatorët. Për atë arsye, i kisha lutur që të dalin edhe në t'i thonë rezultatet të cilat i kanë gjetur ata në produktet tona, për një gabim apo për një lëshim që nuk ka qenë vendimi i mëparshëm, që të shkruhet për prejardhje bimore apo vaj palmës, asnjë ligj ku në botë nuk vjen vendim që me i ndërprerë prodhimin. Mund të korrigjohen, nëse ka bërë ndonjë lëshim, ndonjë prej qumështoreve, mund të korrigjohet, mund të jepet afat ligjorë, por nuk mundet me ndërprerë me ne. Neve na ka bërë dëm të madh dhe tash konsumatorët na u ka ndal shitja. U ndal shitja, janë duke hezituar njerëzit me i marrë prodhimet vendore prej shkaku është opinione të cilat janë marrë si skandal, të cilat i kanë thënë njerëzit e thirrën që janë kompetentë për këtë punë", potencoi ai.

Kujtojmë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, e ka pranuar se në qumështin “Vita” nuk është gjetur vaj palme, ani se nuk e ka thënë me fjalë. /Kp/