Këto janë tri alternativat e Real Madridit nëse nuk arrijnë transferimin e Enzo Fernandez


Drejtuesit e Real Madridit kanë intensifikuar punën në afatin kalimtar të verës dhe duket se "Los Blancos" tashmë kanë nisur të përgatiten për një afat kalimtar që pritet të jetë i gjatë, i kushtueshëm dhe me shumë objektiva, veçanërisht për repartin e mesfushës.
Enzo Fernandez mbetet objektivi kryesor për përforcimin e mesfushës, por kërkesa e Chelseat prej rreth 140 milionë eurosh po e detyron klubin madrilen të shqyrtojë alternativa të tjera.
Sipas gazetarit Miguel Serrano, nëse operacioni për transferimin e Enzo Fernandez nuk përparon, Real Madridi ka identifikuar tre alternativa kryesore: Kees Smit, Alexis Mac Allister dhe Adam Wharton. Të tre ofrojnë profile të ndryshme, por konsiderohen opsione të afta për të rritur cilësinë e mesfushës.
Rasti i Kees Smit shihet më shumë si një investim për të ardhmen. Mesfushori 20-vjeçar i Alkmaar ka kontratë deri në vitin 2028 dhe konsiderohet një nga talentet më premtues në futbollin evropian.
Vlera e tij në treg llogaritet rreth 25 milionë euro, megjithatë konkurrenca e madhe për shërbimet e tij mund ta rrisë ndjeshëm çmimin e transferimit.
Ndërkohë, Adam Wharton përfaqëson një alternativë të ndërmjetme. Mesfushori anglez 22-vjeçar i Crystal Palace është i lidhur me klubin deri në vitin 2029 dhe vlerësohet rreth 70 milionë euro.

Ai dallohet për këmbën e majtë, leximin e mirë të lojës dhe aftësinë për të marrë topin mes linjave, ndërsa gjithashtu ka potencial të madh zhvillimi, edhe pse nuk zotëron ende përvojën e disa kandidatëve të tjerë.
Nga kjo listë, Alexis Mac Allister konsiderohet alternativa më e gatshme nëse transferimi i madh i Enzo Fernandez nuk realizohet.
Mesfushori argjentinas 27-vjeçar i Liverpoolit ka përvojë në nivelet më të larta të futbollit, gëzon reputacion ndërkombëtar dhe mund të luajë si mesfushor ofensiv, por edhe në role më të tërhequra në mesfushë, duke i ofruar fleksibilitet të madh trajnerit të Real Madridit./Telegrafi/















































