Jurgen Klopp për golin e anuluar të Gjermanisë: Në rast që është i parregullt, Arsenal s’do të ishte kampion i Anglisë


Jurgen Klopp ka kritikuar ashpër vendimin e VAR-it për të anuluar golin e Gjermanisë në vazhdime ndaj Paraguait, pas eliminimit tronditës të katër herë kampionëve të botës në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026.
Gjermania u eliminua pas humbjes në penallti ndaj Paraguait pas barazimit 1-1 në 120 minuta lojë, por gjermanët mbeten të zemëruar për golin e Jonathan Tah në kohën shtesë, i cili mund të kishte rezultuar vendimtar për kualifikimin.
Pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Jalal Jayed vendosi ta anulonte golin, duke vlerësuar se Waldemar Anton kishte shkaktuar faull ndaj portierit të Paraguait, Orlando Gill, gjatë aksionit.
Klopp, i cili gjatë Kupës së Botës ka punuar si analist për Magenta TV, nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj këtij vendimi dhe njëkohësisht bëri edhe një koment ironik në drejtim të Arsenalit.
“Nëse ai gol është i parregullt, atëherë Arsenali nuk do të ishte kampion i Anglisë”.
“Ata kanë shënuar 60 për qind të golave të tyre pikërisht në atë mënyrë”.
“Ne e fitojmë ndeshjen në momentin kur topi hyn në rrjetë. Prandaj, natyrisht që kjo është brutale”, deklaroi Klopp.
Arsenali ishte bërë i njohur gjatë sezonit 2025/26 për efikasitetin e tij në situatat standarde, veçanërisht nga goditjet nga këndi, duke marrë njëkohësisht edhe kritika nga rivalët për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre aksioneve.
Edhe eksperti i ESPN për VAR-in, Andy Davies, vlerësoi se nuk kishte kontakt të mjaftueshëm për anulimin e golit të Tah.
“Ky nuk ishte një bllokim i parregullt nga Anton dhe goli duhej të ishte pranuar. Ishte një ndërhyrje e dobët nga VAR-i dhe një vendim po aq zhgënjyes nga arbitri i ndeshjes për të ndryshuar vendimin fillestar dhe për ta anuluar golin”.
“Mbrojtësi gjerman kishte të drejtë të mbante pozicionin e tij në këtë situatë, ndërsa në fakt ishte portieri i Paraguait ai që u përplas me lojtarin gjerman dhe u rrëzua sapo ndjeu kontaktin, më shumë sesa si rezultat i një faulli të vërtetë nga Anton”.
“Ishte një proces i dobët dhe një rezultat i gabuar nga ana e zyrtarëve të ndeshjes”, përfundoi ai./Telegrafi/












































