Jose Mourinho merr në dorë çështjen e Viniciusit


Real Madridi ka rifilluar kontaktet direkte me Vinicius Junior për rinovimin e kontratës, pasi negociatat kishin ngecur për shkak të kërkesave financiare të brazilianit.
Sipas gazetarit Miguel Serrano, dy biseda telefonike të zhvilluara së fundmi kanë përmirësuar raportet mes palëve dhe kanë rikthyer optimizmin për arritjen e një marrëveshjeje.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces thuhet se ka luajtur trajneri Jose Mourinho, i cili i ka bërë të qartë Viniciusit se ai do të jetë një figurë kyçe në projektin afatgjatë të Real Madridit.
Trajneri portugez i ka theksuar brazilianit rëndësinë e vazhdimit të karrierës në "Santiago Bernabeu", duke e konsideruar atë një pjesë të domosdoshme të skuadrës për vitet në vijim.

Megjithatë, çështja financiare vazhdon të jetë pika kryesore e diskutimeve. Real Madridi nuk është i gatshëm t'i ofrojë Viniciusit një paketë financiare të ngjashme me atë të Kylian Mbappes.
Pavarësisht kësaj, raporti thekson se të dyja palët tani janë më pranë një marrëveshjeje sesa në çdo fazë të mëparshme të negociatave.
Ndërkohë, në rrjetet sociale u shtuan spekulimet pasi Vinicius hoqi referencat për Real Madridin nga profili i tij në Instagram, ndryshoi fotografinë e profilit dhe largoi nga kryesimi disa postime që lidhen me klubin.
Megjithatë, sipas të njëjtit burim, sulmuesi brazilian ka bërë ndryshime të ngjashme edhe në të kaluarën, ndaj këto veprime nuk lidhen domosdoshmërisht me situatën e kontratës së tij./Telegrafi/








































