Vijon radha kilometrike e mjeteve në kufirin Kosovë-Shqipëri

Radhë prej disa kilometrash janë krijuar këtë mesditë në pikën kufitare të Morinës, në aksin Shqipëri–Kosovë.
Fluksi i lartë i udhëtarëve ka sjellë pritje të gjata, ndërsa qytetarët po presin nga 30 minuta deri në një orë për të kaluar kufirin, në temperatura të larta.
Pritja nën diell ka shkaktuar pakënaqësi te udhëtarët, të cilët kërkojnë më shumë lehtësi dhe menaxhim më të mirë të situatës.
Krahas numrit të lartë të automjeteve, qarkullimi është ndikuar edhe nga një karroceri e djegur në Rrugën e Kombit, rreth një kilometër larg pikës kufitare të Morinës.
Mjeti ndodhet prej dy ditësh në njërën korsi të rrugës, duke ngadalësuar lëvizjen dhe duke shtuar kolonat e automjeteve.
Vonesat janë ndikuar gjithashtu nga kontrollet e mjeteve me targa të huaja dhe kufizimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugët e Kosovës.
Pala kosovare po punon me shtatë sportele për përpunimin e automjeteve, por fluksi i lartë vijon të krijojë pritje të gjata në një nga pikat më të ngarkuara kufitare gjatë sezonit veror. /kp/








































