Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka nxjerrë një vendim me masa të detyrueshme për organizatorët e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera publike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

Sipas ministrisë, organizatorët e ngjarjeve publike tashmë do të kenë obligim të sigurojnë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të hapësirave pas përfundimit të aktiviteteve, respektim të kufijve të zhurmës, si dhe masa për mbrojtjen e ajrit, ujit dhe natyrës.


“Mbrojtja e mjedisit është standard që duhet respektuar nga secili organizator i ngjarjeve publike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur se për aktivitetet që kanë ndikim më të madh në mjedis, komunat do të kenë mundësi të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës pas përfundimit të ngjarjes.

“Për aktivitetet me ndikim më të madh, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës. Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë”, ka deklaruar ministria.

Sipas këtij institucioni, zhvillimi i aktiviteteve kulturore dhe argëtuese duhet të shoqërohet me përgjegjësi ndaj mjedisit.

“Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në njoftim.

Ministria ka theksuar se do të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, duke paralajmëruar se do të jetë e pakompromis në respektimin e standardeve të reja.

“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë”, ka përfunduar Ministria e Mjedisit. /Telegrafi/