Hilaria Baldwin u përgjigjet kritikëve: Nuk jam me Alec për para, shtatë fëmijë nuk i bën dikush për interes

Hilaria Baldwin ka reaguar ndaj komenteve dhe paragjykimeve që kanë shoqëruar prej vitesh marrëdhënien e saj me aktorin e njohur, Alec Baldwin, duke mohuar pretendimet se ajo është me të për përfitime financiare.
Në një intervistë për SiriusXM Radio, Hilaria tha se këto etiketime e kanë lënduar, pasi nuk e përfaqësojnë atë si person.
Ajo tregoi se në fillimet e lidhjes me Alec, ai shpesh përpiqej t’i blinte dhurata, por ajo i refuzonte, duke dashur të ishte e sigurt se ndjenjat e saj ishin të bazuara tek personi dhe jo tek pasuria apo fama.
Çifti u njoh në vitin 2011, kur Alec ishte tashmë një yll i njohur i Hollywood-it, ndërsa Hilaria punonte si instruktore yoga në New York.
Ajo kujtoi se në atë periudhë jetonte në mënyrë modeste dhe donte të sigurohej se lidhja e tyre ishte e vërtetë përpara se të pranonte ndonjë dhuratë të kushtueshme.
Hilaria dhe Alec u martuan në vitin 2012 dhe së bashku kanë shtatë fëmijë: Carmen, Rafael, Leonardo, Romeo, Eduardo, Maria dhe Ilaria.
Alec ka gjithashtu një vajzë të rritur, Ireland, nga martesa e mëparshme me aktoren Kim Basinger.
Duke folur për familjen e tyre të madhe, Hilaria iu përgjigj kritikëve me humor, duke thënë se një person që kërkon vetëm përfitime financiare nuk do të zgjidhte të kishte shtatë fëmijë, pasi rritja e tyre kërkon shumë përkushtim dhe shpenzime.
“Ky është ndoshta testi i vërtetë. Do të vazhdoni të më akuzoni se jam me të vetëm për paratë? Shtatë fëmijë nuk janë diçka që bën dikush për përfitim financiar”, tha ajo. /Telegrafi/



















































