Frikë te Interi, Calhanoglu ka nënshkruar me gjigantin turk?

Te Interi kanë filluar të bien sërish kambanat e alarmit për të ardhmen e Hakan Calhanoglu, por këtë herë jo për një kalim të mundshëm te Galatasaray.
Sipas raportimeve nga Turqia, kandidati për president të Fenerbahçes, Hakan Safi, ka arritur një marrëveshje paraprake me mesfushorin turk për një kontratë trevjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
Zërat u forcuan edhe më shumë pas deklaratës së agjentit të futbollistit, Gordon Stipic, i cili konfirmoi se ka zhvilluar takime me Safin.
"Nuk jam kufizuar vetëm në biseda me Hakan Safin, por edhe e kam takuar personalisht. Jemi miq prej shumë kohësh dhe kemi diskutuar për disa futbollistë, veçanërisht për njërin prej tyre. Nëse Safi fiton zgjedhjet, kemi një marrëveshje për futbollistin tim më të rëndësishëm", deklaroi Stipic.

Ndërkohë, vetë Hakan Safi ka ndezur edhe më shumë spekulimet me një video që është bërë virale në rrjetet sociale, ku dëgjohet duke thënë: "Njoftojmë transferimin e Calhanoglu te Fenerbahçe."
Edhe pse kjo shihet si një lëvizje elektorale në prag të zgjedhjeve presidenciale te klubi turk, deklarata ka shkaktuar reagime të shumta.
Vetëm pak ditë më parë, mediat turke raportonin se Calhanoglu ishte i gatshëm të rikthehej te Galatasaray, skuadra që e mbështet që nga fëmijëria, madje duke pranuar edhe një ulje të pagës nga 6.5 në 5 milionë euro në sezon.
Tashmë, mundësia që ai të përfundojë te rivalët e përjetshëm të Fenerbahçes ka zemëruar tifozët e Galatasarayt, të cilët kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale. /Telegrafi/




































