Real Madridi ka bërë një hap të madh drejt transferimit të Yan Diomande, pasi eksperti i merkatos Fabrizio Romano raporton se gjiganti spanjoll ka arritur marrëveshje të plotë verbale për kushtet personale me anësorin e RB Leipzig.

Sulmuesi 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë ka pranuar ofertën e Real Madridit dhe është gati të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare, e vlefshme deri në verën e vitit 2031. Edhe pse më parë kishte arritur marrëveshje për kushtet personale me Paris Saint-Germainin, Diomande tani ka dhënë dritën jeshile për t'iu bashkuar klubit madrilen.


Pas arritjes së marrëveshjes me lojtarin, Real Madridi pritet të rikthehet në bisedime me RB Leipzigun me një ofertë të përmirësuar. Propozimi i parë i "Los Blancos", me vlerë 90 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse, u refuzua nga klubi gjerman.

Sipas raportimeve, Leipzigu e vlerëson talentin e ri rreth 115-120 milionë euro, përfshirë bonuset, dhe nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij për një shumë më të ulët.

Megjithatë, gara nuk ka përfunduar ende. Paris Saint-Germaini nuk është tërhequr nga synimi për ta transferuar Diomanden dhe ka rinisur kontaktet me përfaqësuesit e futbollistit, duke shpresuar ta bindë atë për një kalim në Francë para mbylljes së afatit kalimtar.

Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga kampioni francez, Real Madridi aktualisht konsiderohet favorit për nënshkrimin e Diomandes dhe po përgatitet për negociatat vendimtare me RB Leipzigun, me synimin për të finalizuar një nga transferimet më të mëdha të kësaj vere./Telegrafi/

telegrafi sport app