Muzika i ka dhënë më shumë famë se sa profesioni i saj.

Eliza Hoxha, arkitekte dhe këngëtare e kauzave sociale. sapo publikoi këngën“Ecjen ti vazhdo” dedikuar të gjithë personave që vuajnë nga kanceri,

Në një intervistë për DITA ajo ka treguar më shumë për veten dhe për marrëdhënien e saj me qytetin.

Eliza, ç’marrëdhënie ke me vjeshtën, me ngjyrat e kësaj stine?
Vjeshta është stina që shpalos ngjyrat e vërteta dhe karakteristikat e natyrës. Nëse e shikojmë në aspektin e ciklit jetësor, po e njëjta gjë ndodhë edhe me ne si njerëz në moshën e pjekurisë, kur disave e bukura dhe e mira u bëhen një dhe vjen në pah si vlerë e vërtetë.

Sot (dje) është dita e fundit e tetorit, i njohur si muaji i luftës kundër kancerit, ju keni bërë një këngë për këtë muaj, cili është mesazhi që doni të jepni nëpërmjet saj?
Kënga u drejtohet të gjithë atyre që në një formë apo tjetër kanë përjetuar një gjë të tillë apo po kalojnë në këto çaste. Përtej besimit dhe forcës që duhet ta gjejnë brenda vetes për t’u përballë me sëmundjen, ideja e këngës ka qenë që të shpalosim edhe luftën tjetër që e përjetojnë këto gra nga stigmatizimi dhe presioni shoqëror karshi ndryshimeve fizike që i përjetojnë gjatë procesit të kurimit. Por gjithsecili prej nesh duhet të vazhdojë ecjen, deri në ditën e fundit, frymën e fundit për të gëzuar jetën.

Këtu mund ti lexoni të gjitha lajmet rreth Eliza Hoxhës Këtu mund ti lexoni të gjitha lajmet rreth Eliza Hoxhës

A ke njohur persona që vuajnë nga kjo sëmundje?
Kam njohur persona të prekur nga kjo sëmundje, ka prej tyre që nuk janë më, por edhe shumë të tjerë që e kanë mundur sëmundjen dhe e kanë rifituar jetën, por për më shumë e kanë rifituar veten. Kam takuar gra që e kanë rifituar jetën, por çka është më e bukura kanë rifituar veten, i janë kthyer vetes, të brendshmes, kanë zbuluar aftësi e talente tek vetja të cilat kishin qenë të fjetura. Njëra nga këto, kishte shkruar dy libra gjatë kohës së kurimit!

Eliza, ndodh që njerëzit ja kuptojnë vlerën jetës kur janë sëmurë, kur ndihen keq, kur janë në pozita të dobëta. Sipas teje, a ka një terapi për ta jetuar sa më mirë atë?
Të jetojmë për veten tonë, të komunikojmë me veten herë pas here dhe çfarë është më e rëndësishmja të mos e harxhojmë kohën për t’i përmbushur pritshmëritë e të tjerëve karshi nesh, por nevojat dhe dëshirat tona.
Secili nga ne ka një forcë të brendshme, një zë të cilin po t’i kushtojmë më shumë rëndësi mund të jetë udhërrëfyesi më i mirë i yni, në të mirë e në të keq.

Je quajtur këngëtare e kauzave njerëzore, pasi jeni përfshirë në disa fushata. A ka diçka që ju shtynë?

Unë shumë nga këngët e mia i kam përdorur si platformë komunikimi për çështjet sociale, sepse mendoj se muzika përtej argëtimit ka edhe një mision në fisnikërimin e gjithsecilit nga ne. Këto këngë janë zgjeruar në projekte të mëdha multimediale dhe ekspozita personale duke qenë të kombinuara me shprehje të tjera artistike. Dhe duke qenë se unë e kam një profil timin të qëndrueshëm dhe të besueshëm në këtë drejtim, edhe njerëz të tjerë kur kanë kësi lloj aktivitetesh më drejtohen me shumë dashamirësi e dashuri.

A ka ndonjë histori personale në këtë mes?
Jo. Thjesht e bëj për të qenë zëri i atyre që nuk kanë zë, zëri i të margjinalizuarve, stigmatizuarve.

Përveç muzikës, je një arkitekte në profesion dhe sapo jeni kthyer nga një aktivitet, mund të na tregoni diçka më shumë rreth tij?
Unë kam mbaruar për arkitekturë, por profili im çdo ditë e më shumë fokusohet tek planifikimi me komunitetin për çka po mbaroj edhe doktoraturën time në Universitetin Teknik në Graz, Austri. Përveç faktit që punoj në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arkitekturës tash e 13 vite, kam dhe aktivitetet e tjera herë pas here që lidhen me fushën time të interesit. Projekti i fundit ishte “Facing the river” (përballë lumit) në qytetin e ndarë të Mitrovicës, i cili kishte për qëllim hulumtimin dhe analizën e situatës së breglumit si një kufi natyror dhe juridik sot, midis pjesës veriore dhe jugore të qytetit apo midis shqiptarëve dhe serbëve, dhe më pas të jap një vizion alternativ se çfarë mund të bëhet aty në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë. Kështu lumi mund të shihej si një bosht potencial i mirëbesimit, zhvillimit dhe paqëtimit të dy komuniteteve.

Cila është dita jote e zakonshme?
Nuk jam tip i mëngjeseve. Kafen e pi më shpesh në zyrë, përveç kur kam ndonjë takim pune të hershëm. Angazhimi në shkollë dhe puna në hulumtimin e doktoraturës. Ndonjë dalje aty këtu, ndërkohë edhe ndonjë dalldisje me ide për projekte të tjera (qesh).

Jam kurioze të di si është shtëpia e një arkitekteje. Mund të na e përshkruani shtëpinë tuaj?
Shtëpia ime është e vogël, por është e ngrohtë dhe e rehatshme. Dritaret janë pa perde fare, duke qenë se e tërë pamja është nga parku i qytetit.

Eliza, cila është marrëdhënia që ke me qytetin ku jeton dhe çmendim ke për anën e tij urbanistike?
Unë e dua qytetin tim me gjithë të mirat, kujtimet, arritjet që unë kam arritur duke qenë pjesë e tij. Ia dua edhe të metat në fakt. Por ajo që nuk e duroj dot është shfytyrimi i tij i shpejtë pas luftës së fundit dhe betonizimi i tij. S’ka më ajër, s’ka më dritë, s’ka më drunj. Thjesht Prishtina po rrit shtatin nën hijen e vet dhe pasojat veç kanë filluar të shfaqen tashmë. Duke qenë e pafuqishme të ndaloj ose të bëj diçka për të ndryshuar në të mirë, kam reflektuar ndër vite, kam shkruar dhe kam një libër që i kushtohet Dashurisë për qytetin.

Po Tiranën sa e njihni në këtë drejtim dhe çfarë mendoni për të?
Tirana është më e hapur si territor, por mendoj se afërsisht të njëjtat gabime kemi bërë. Thjesht nuk po arrijmë të jemi udhërrëfyes të tij, por po merremi me përfitimet e shpejta dhe me pasojën.

Eliza, sa ndikon qyteti në psikologjinë e banorëve?
Duke qenë se qyteti është produkt i njerëzve që jetojnë në të, deshe apo jo, mjedisi ku jeton të ndikon në mënyra të ndryshme. Njerëzit në Prishtinë për shembull janë shumë më neurotikë dhe ka shumë arsye për këtë. Nuk ecën dot në trotuar, nuk ke ku parkon, nuk ke ku të shkosh me fëmijën, se mos të flas për njerëzit me nevoja të veçanta. Një qytet që nuk u shërben njerëzve të tij për ta përmbushur veten e tyre dhe për ta jetësuar e gëzuar rritjen e tyre, nuk është asgjë me shumë se sa një strehimore kolektive.

Çfarë bën kur mërzitesh?
Shkruaj, bëjë një këngë tjetër me temë të angazhuar, bëjë një aktivitet vullnetar për gjelbërim, thjesht nuk pres që gjithçka të më shërbehet në pjatë.

Cili është njeriu me të cilin ndan shqetësimet dhe problemet?
Motra.

A ke shumë shoqëri?
Kam shumë miq dhe janë të moshave, gjinive por edhe profesioneve të ndryshme. Por sa më shumë kalojnë vitet edhe lista e miqve filtrohet vetvetiu, disa ikin vetë se nuk e kanë ritmin tënd, disa të zhgënjejnë e kështu me radhë.

Je zhgënjyer ndonjëherë prej tyre?
Po nga miqtë do zhgënjehemi, jo nga ata që nuk i njohim dhe nuk kalojmë kohë me ta.

Cila është gjendja jote shpirtërore në këto momente Eliza?
E lumtur sepse po bëjë gjerat që dua, ashtu si unë dua.