Alexis Sanchez ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u larguar nga futbolli evropian për t’iu bashkuar Major League Soccer.

Legjenda e Barcelonës dhe Arsenalit ka nënshkruar kontratë me CF Montreal deri në sezonin pranveror të MLS-së 2027, me klubin kanadez që e ka bërë kilianin transferimin më të madh që nga epoka e Didier Drogbas.


Marrëveshja përfshin gjithashtu një opsion për sezonin e plotë 2027/28 në MLS, i cili do të jetë i pari që do të zhvillohet sipas kalendarit të ri, të përshtatur me atë të ligave kryesore evropiane.

Transferimi i Sanchezit ishte paralajmëruar një ditë më herët, kur Montreal publikoi një video në rrjetet sociale për fanellën me numrin 10. Në fund të videos, drejtori i klubit për rekrutimin dhe metodologjinë sportive, Luca Saputo, përmendi emrin “Alexis”, duke nxitur menjëherë spekulimet për transferimin.

Tashmë marrëveshja është zyrtarizuar dhe 37-vjeçari do të jetë lojtar i kategorisë Designated Player te Montreal, në një verë ku MLS ka tërhequr disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë Antoine Griezmann te Orlando City dhe Robert Lewandowski te Chicago Fire.

Sanchez ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme në Evropë, duke luajtur për klube si Barcelona, Arsenali, Manchester Unitedi dhe Interi, ndërsa me Kilin fitoi dy tituj të Copa Americas.

Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Kilit me 51 gola dhe në total ka realizuar 215 gola e ka dhënë 154 asistime në 788 paraqitje profesionale. Gjatë karrierës së tij, Sanchez ka fituar trofe me Barcelonën, Interin, Colo-Colon dhe Arsenalin.

Megjithatë, forma e tij ra ndjeshëm sezonin e kaluar në La Liga me Sevillan, ku shënoi vetëm katër gola në 28 paraqitje. Tashmë, kiliani shpreson që aventura në MLS t’i japë një ringritje të re karrierës.

“Jam shumë i lumtur që i bashkohem CF Montrealit dhe që po marr përsipër këtë sfidë të re. Jam mirënjohës ndaj klubit për besimin që ka treguar tek unë dhe mezi pres ta vë përvojën time në shërbim të ekipit, në mënyrë që të arrijmë objektivat tona dhe të krijojmë momente të paharrueshme për tifozët.

“Jam këtu për të dhënë gjithçka që kam për klubin dhe për këtë qytet”, deklaroi Sanchez./Telegrafi/

telegrafi sport app