Drita është kualifikuar në finale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll duke eliminuar Trepçën ’89 pas ndeshjes kthyese gjysmëfinale që u zhvillua në Gjilan (3-0).

Gjatë kohës së rregullt të sfidës u realizua vetëm një gol, edhe atë nga vendasit. Në minutën e 27-të, Drita kaloi në epërsi me golin e Shqipërim Kelmendit nga penaltia.


Me të filluar pjesa e dytë, mysafirët kanë mundur të barazojnë, mirëpo Blerand Kurtishaj goditi vetëm shtyllën.

Gola të tjerë nuk pati, ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime, duke qenë se edhe takimi i parë në “Riza Lushta” kishte përfunduar me rezultat 1-0.

Jo shumë minuta pasi nisën vazhdimet, vendasit e shënuan golin e dytë. Xhevdet Shabani realizoi një gol të bukur (94’).

Nikoqirët shënuan edhe në pjesën e dytë të vazhdimeve. Golashënues ishte Murati (119’), i cili realizoi pas një daljeje të portierit mysafir.

Në finale, Drita do të përballet me Prishtinën që në gjysmëfinale e eliminoi Llapin. /Telegrafi/

telegrafi sport app