Gjilani ka lëshuar nga dora një mundësi të artë për t’i ikur barazhit pasi ka barazuar si vendas me Drenicën 1-1.

Gjilani e nisi më mirë ndeshjen dhe vetëm pas gjashtë minutave lojë arriti të shënonte golin e epërsisë.


Ishte sulmuesi kryesor i tyre, Betim Haxhimusa që realizoi në portën e Nezriti për 1-0.

Katër minuta më vonë, Haxhimusa pati një tjetër rast për të shënuar por kësaj radhe dështoi i vetëm përballë Nezirit.

Gjilani nuk i shfrytëzoi disa gjysmë raste të tjera për ta shënuar golin e dytë dhe erdhi kundërpërgjigja nga mysafirët.

Ishte minuta e 25-të kur mysafirët nga Skenderaj barazuan rezultatin në 1-1.

Hysen Tahiri goditi bukur ndërsa topin e devijoi në portë Denis Peposhi për ta barazuar rezultatin.

Deri në fund të pjesës së parë Gjilani rrezikoi edhe me Haxhimusën, Karabegun dhe Thaqin por pa sukses.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Gjilani e nisi furishëm pjesën e dytë duke kërkuar me ngulm golin e epërsisë, kur Thaqi tentoi me kokë por pa sukses.

Bardh e kuqtë tentuan pafundësisht shënimin e golit të fitores.

Armend Thaqi u shërbye në zonë mirë nga Papuqi por që goditja e tij me kokë ishte e plogësht.

28471952 1610483902320615 2858055596466606501 n

Në minutën e 74-të, Haxhimusa në rast ideal dështoi të realizonte pas asistimit nga Kosumi.

Dy minuta më vonë, Betim Haxhimusa i vendasve tentoi shënimin e golit me kokë por shtylla ia mohoi një gjë të tillë.

Deri në fund nuk pati më gola të shënuar dhe Gjilani e Drenica ndanë pikët.

Drenica kësisoj ka siguruar mbetjen në elitë edhe për një stinor pasi zë vendin e pestë në 47 pikë të tubuara.

Gjilani kësisoj mbetet skuadra më e rrezikuar për të mbetur në barazh pasi zë pozitën e tetë me 45 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Gjilani do të luaj në udhëtim te Vëllaznimi ndeshjen e sezonit.

Ndërkohë Drenica do të jetë nikoqire e Lirisë në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj. /Telegrafi/

telegrafi sport app