"Do ta gjejmë mënyrën", Tuchel i sigurt që Anglia e ndal Lionel Messin


Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka paralajmëruar se ekipi i tij është i gatshëm të gjejë mënyrën për ta ndalur Lionel Messin në përballjen e madhe ndaj Argjentinës.
Tekniku gjerman vlerësoi ndikimin e jashtëzakonshëm të Messit, duke theksuar se ai nuk është i rrezikshëm vetëm për cilësitë individuale, por edhe për mbështetjen që merr nga bashkëlojtarët.
"Ai gjen hapësira, gjen momentet e duhura dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme është se i gjithë ekipi beson në këtë ide. Ata e mbështesin, e ndihmojnë dhe janë gjithmonë gati kur ai shpërthen në aksion për të bërë diferencën. Sigurisht që do të përgatitemi për këtë”.

Tuchel pranoi se është e pamundur të përqendrohesh vetëm te Messi, por insistoi se Anglia duhet të tregojë guxim dhe disiplinë taktike.
"A mund të përgatitesh për këtë dhe ta gjesh formulën duke u fokusuar vetëm tek ai? Jo. Por ne duhet të jemi të guximshëm përballë tij, duhet t'ia ndërpresim mbështetjen dhe të kujdesemi për të gjitha lëvizjet që ndodhin kur topi është në këmbët e tij".
"Ne kemi forcën, kemi mentalitetin që duhet për t'u përballur me këtë sfidë. Dhe jemi gati për të”, deklaroi ai.
Përndryshe, përballja mes Anglisë dhe Argjentinës do të zhvillohet nga ora 21:00./Telegrafi/











































