Reperi problematik kishte konfirmuar kohë më parë se do të mbante një turne evropian pas tri dështimeve radhazi për ta bërë këtë.

Dhe data e parë e turneut evropian të DMX duket se ka dështuar, e është shtyrë për të hënën. Reperi ka konfirmuar se koncerti i paraparë të mbahej sot në Bullgari, do të mbahet të hënën.


“Hey, Bullgari, shihemi të hënën më 16 dhjetor në palestrën Hristo Botev në Sofie”, ka shkruar DMX në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Kështu, koncerti i parë në kuadër të turneut evropian të DMX mbetet Kosova dhe koncerti i paraparë të mbahet më 14 dhjetor (e shtunë) në sallën 1 tetori.

Sidoqoftë, Telegrafi mëson se problemet e mëdha të DMX me ligjin dhe refuzimi i falimentimit për t’u rimëkëmbur financiarisht kanë mundur të ndikojnë që ai fare të mos udhëtojë në Evropë. Ashtu sikurse dy vjet më parë, kur dy herë ishte shtyrë turneu i tij pas paralajmërimeve serioze dhe video-konfirmimeve, një gjë e tillë rrezikon të ndodhë tani përsëri.

Megjithatë, sytë e botës së muzikës do të jenë të kthyer kah kryeqyteti jonë ku mbetet të shihet nëse DMX do të aterojë sot gjatë ditës apo të shtunën në aeroportin e Prishtinës, me ç’rast edhe do të konfirmohej turneu i tij evropian, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë.

Në koncertin e DMX që pritet të mbahet të shtunën është paralajmëruar një performancë para tij e Dafina Zeqirit, Dj Blunt, Real 1, Elinel dhe shumë artistë të tjerë vendorë.